E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia ekstradon të dënuarin për trafikim fëmijësh

Arian Malaj, nga Lushnja është dënuar nga gjykata me 17- vjet burgim. U arrestua në mars në qytetin e Sienës

TIRANË- Ekstradohet nga Italia një 26-vjeçar që ka trafikuar një vajzë tëmitur së bashku me një nga të fortët e Beratit, Dritan Zhukën. Arian Malaj, nga Lushnja është ekstraduar ditën e djeshme nga Roma e Italisë pasi ishte shpallur në kërkim nga policia sepse Gjykata e rrethit Gjyqësor Lushnjë, më datë 20 maj të vitit 2004, e ka deklaruar fajtor dhe dënuar me 17 vite burgim, për kryerjen e veprës penale të trafikimit të fëmijëve. Ngjarja për të cilën është shpallur fajtor Arian Malaj ka ndodhur në vitin 2002 kur ai në bashkëpunim me gjashtë persona Ervin Basha, Eduart Ademi, Florenc Malaj, Klodian Gupi, Martin Zhuka dhe Dritan Zhuka, kanë trafikuar për në Itali me qëllim prostituimi shtetasen V.T. Kjo e fundit në kohën kur është trafikuar ka qenë e mitur. Pas denoncimit në polici për trafikimin e vajzës, policia nisi hetimet për të identifikuar dhe kapur trafikantët. Burime nga policia thanë se njëri prej trafikantëve dyshohet të ishte Arian Malaj, ndaj të cilit gjykata e shpalli fajtor duke e dënuar me 17 vite burgim, në mungesë. Malaj u shpall në kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptare, dhe për llogari të saj, 26-vjeçari u kap më 19 mars të vitit të kaluar në Siena të Italisë. Policia italiane njoftoi homologët e saj shqiptarë për të nisur procedurat për ekstradimin e Malajt gjë e cila u realizua ditën e djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›