E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncimi: U mbytëm nga fabrika e asfalt-betonit

Tre mijë banorët e lagjes “Kushtrimi” në qytetin e Vlorës jetojnë çdo ditë mes tymrave dhe ndotjeve të një fabrike

VLORË- Një fabrikë asfalt-betoni, e ngritur në lagjen “Kushtrimi”, e ka bërë të vështirë jetesën e banorëve, për shkak të tymrave ndotës që depozitohen në ajër. Një vit më parë, banorët janë hedhur deri në protesta, por kjo nuk i ka shpëtuar ata nga ndotja, që është çdo ditë e pranishme në zonë.

Banorë të lagjes “Kushtrimi”, prej kohësh vuajnë ndotjen “non stop” të fabrikës së përpunimit të asfalt-betonit. Fabrika e ngritur pikërisht në zemër të lagjes informale, çdo ditë e më tepër po kthen në ferr jetën e banorëve, sidomos atyre që kanë banesat fare ngjitur me të. Tymi i vijueshëm që del prej saj e ka bërë të padurueshme qëndrimin në këtë zonë, e aq më tepër jetesën normale. Banorët thonë se kanë bërëedhe protesta për pushimin e aktivitetit të fabrikës, por pretendohet që ajo të jetë me leje. Dritan Hoxha, i ardhur nga emigracioni, e ka banesën fare ngjitur me ndërmarrjen, nga e cila tymi i dendur shihet fare afër. Aitregon pëllëmbën me të cilën fshin një pjesë të banesës së vet. “Është një tmerr i vërtetë. Kjo ngjitur punon nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19.00 pa pushim. Por edhe natën ndonjëherë dhe në këtë kohë ne nuk kemi ku shkojmë. Kur na bënë dokumentet për legalizim, të na thoshnin se nuk rrihet këtu se ka ndotje. Tani o të iki kjo, ose ne se zgjidhje tjetër nuk ka. Nuk dimë ku të shkojmë. Nuk na pret njeri. Ka leje thonë”,- tregon ai. Ndërkohë Fitim Likaj, një tjetër banor i zonës thotë se këtu është me keq se ndotja që pretendohej nga turbina të TEC. “Nuk ka ndotje vetëm këtu, por edhe në pjesë të tjera të qytetitpasi tymrat çlirohen në ajër. Nuk ka kuptim si mund të ndërtohet një aktivitet i tillë në mes të qytetit, ku po helmohet lagjja e të tjera rrotull”,- vijon ai.

Po një tjetër banor i zonës, Ilir Hoxha, thotë se i mban dy fëmijët e tij në izolim e shtëpinë me dritare mbyllur. “Ka ardhur një nga Tepelena e na e ka sjellë këtu, por në fakt këtu thuhet se ajo është e një deputeti. Edhe deputeti të jetë, nuk mund të na shkaktojë të tillë dëm, është një tmerr të jetosh këtu, nuk dimë ku të shikojmë”,- thotë ai. Banorët thonë se sot fabrika ka punuar me xhiro të ngadalta, ndërsa në ditë të tjera ndotja është edhe më e madhe. Situata që sheh në këtë zonë është edhe më e qartë, ndërkohë që vetë banorët sqarojnë se ndoshta për tu dhënë leja, ndërtimi që ka zgjedhur zonën informale, ndoshta ka shfrytëzuar një paraqitje të zonës me shkurre të viteve 90 dhe jo pamjen reale të saj. Në zonë aktualisht banojnë rreth tre mijë banorë, të penalizuar nga ndotësit e ajrit, të cilët nuk janë në vëmendjen e askujt. Një vit më parë, banorët u hodhën në protestë, kur edhe ndërtimi u krye, por ata pohojnë që atë kohë iu premtua se gjithçka do të ishte provizore dhe do të përdoreshin neutralizues të ndotjes, por kjo realisht nuk ka ndodhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›