Xhuveli pastron Gërdecin nga ndotja
Ministri Xhuveli ka dhënë garanci që Gërdeci nuk është më i ndotur. Të dhënat janë kontradiktore me institucionet e tjera
Banorët e Gërdecit nuk janë të rrezikuar nga ndotja e ajrit as nga ndotja e ujit. Deklaratën “surprizë” e dha dje ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, duke thënë të kundërtën e institucioneve të tjera shtetërore por edhe organizatave botërore. Sipas tij matjet kanë treguar se ajri në zonën e Gërdecit ku ndodhi shpërthimi, është i pastër.
Matjet
Ka pasur një ndotje të përkohshme nga shpërthimi në Gërdec, por tani është kthyer çdo gjë si më parë. Kështu është shprehur kreu i Mjedisit, Xhuveli, duke theksuar se matjet janë realizuar nga laboratorët e dikasterit që ai drejton. “Në mënyrë periodike çdo muaj analizat janë përsëritur dhe rezulton se ajri të jetë pa asnjë ndotje dhe uji në puse të ketë atë cilësi që ka pasur para 15 marsit”,- pohon Xhuveli. Ndërkohë ai pohon se edhe uji i puseve nuk është i ndotur për shkak të shpërthimit, por ai ka qenë i ndotur më parë dhe i papërdorshëm nga banorët. Përsa i përket metaleve të rënda, Xhuveli tha se rezulton i ndotur vetëm zona e perimetrit të kraterit të shpërthimit
Ndotja dhe pasojat
Zonë e shpallur hot-spot (ndotje tepër e lartë) dhe e pabanueshme të paktën për 1 vit pasi mund të jetë tepër e rrezikshme për banorët. Kështu e kanë cilësuar specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, por edhe agjenci të huaja që merren me mjedisin, duke iu bërë apel banorëve që të mos jetojnë përreth kraterit. Toka e Gërdecit është e tejndotur nga elementet kimike dhe toksike, elemente këto që sjellin sëmundje të rënda për banorët. Kështu, specialistët e ISHP-së pohojnë se bëhet fjalë për ndotës, si dioksinë, ose HCB-të ose edhe ndotësit eksplozivë. Megjithatë ata shpjegojnë se ekzistojnë edhe një sërë ndotësish të tjerë, të cilët janë duke u eksploruar nga agjencitë tona, por edhe të huaja. “Elementet kimike, por edhe elemente të tjera janë shumë të dëmshme për shëndetin e banorëve pasi ato shkaktojnë një sërë sëmundjesh, ku më të rrezikshmet janë tumoret. Kështu, nëse toka rezulton e kontaminuar nga këto elemente kimike, atëherë rrezikohen edhe ujërat nëntokësorë”, -pohojnë specialistët e ISHP-së. Sipas tyre, HCB dhe dioksinat që gjenden në Gërdec për shkak të shpërthimit janë komponime shumë të rrezikshme, ndaj dhe për këto është kërkuar këshillimi nga ekspertët e huaj pasi, përveç ndotjes së zakonshme, që janë metalet e rënda, ka edhe ndotje të tjera. Gjithashtu edhe ambientalistët kanë dhënë alarmin për ndotjen në Gërdec, duke theksuar se aty u shpërthyen mbi 3 mijë tonë predha e barut, të cilat kanë sjellë një ndotje të madhe. Sipas tyre, baruti përbëhet nga 11 për qind squfur dhe 22 për qind grafit, që është një lëndë shumë e rrezikshme për shëndetin. Ndërkohë ata theksojnë që pasojat shtohen edhe për faktin se vetë predha përmban lëndë helmuese, për shkak të lagështirës që ka rënë në formë precipitati në zonën e Gërdecit.
3 mijë tonë predha e barut kanë shpërthyer në Gërdec, sipas ambientalistëve
11 për qind squfur përmban plumbi i cili rrezikon seriozisht shëndetin
--------------------------------------------------------------Ministri i Mjedisit pohon se krahasuar me një vit më parë ndotja e ajrit është ulur me 30%. U futën makina të reja
Xhuveli: Ndotja e ajrit në qytetet kryesore është ulur me 30%
Shkalla e ndotjes së ajrit nga pluhurat në qytetet kryesore është ulur me 30 për qind këtë vit. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e ministrit të Mjedisit, Xhuveli, duke sjellë “surpriza” jo vetëm për banorët e Gërdecit që përjetuan pak muaj më parë shpërthimin e mbi 3 mijë tonë predhave, por edhe për banorët e metropolit dhe qyteteve të mëdha. “Në bazë të të dhënave të monitorimit, ajri rezulton i pastër për katër treguesit që janë brenda normave shqiptare dhe të vendeve të BE-së. Ka një ulje të shkallës së ndotjes nga pluhurat me më shumë se 30 për qind”,- pohon Xhuveli, duke shtuar se kjo ulje vihet re ne Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Shkodër. Sipas tij faktorët që kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit janë investimet e bëra në zonën industriale të Elbasanit për të minimizuar ndotjen, por edhe futja e automjeteve të reja në përdorim. (Monitorimi i cilësisë së ajrit është kryer në zonat urbane më të populluara(Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Shkodër) në 9 stacione ku janë matur 6 indikatorët më kryesorë të cilësisë së ajrit, (PM10, LNP, NO2, SO2, O3, Pb). Në bazë të të dhënave të monitorimit ajri rezulton i pastër për 4 treguesit SO2, NO2, O3, dhe Pb të cilët rezultojnë brenda normave të lejuara të Standardit Shqiptar dhe të BE në të gjitha stacionet dhe qytetet e monitoruara”,-bëhet e ditur nga Ministria e Mjedisit, duke shtuar se përmbajtja e pluhurave në ajrin urban, PM10 (grimca nën 10 mikron) dhe LNP (lëndë e ngurtë pezull), në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007, paraqetpërmirësim, ku2 stacione rezultojnë brenda normave të lejuara të Standardit Shqiptar. Po sipas dikasteri të Mjedisit, në stacionet e tjera edhe pse përmbajtja e pluhurave kalon në masë të ndryshme normën e lejuar, vihet re tendenca në ulje e përmbajtjes së tyre.
“Monitorimi i strukturës elementare të aerosoleve, konfirmon se ajri është i pastër përsa i përket përmbajtjes së metaleve toksike( Pb Cr, Ni dhe Zn)”, bëhet e ditur nga Ministria e Mjedisit.
---------------------------------------------------------------------Bashkia: Konkursi i hapur për parkimet nëntokësore
Sheshi “Italia” është një tjetër zonë ku do të ndërtohet një parking disa katësh nën tokë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, u shpreh dje se konkursi për këto parkime do të jetë i hapur. “Ndërkohë që kapaciteti i parkingut të nëndheshëm do të vlerësohet me nevojat e institucioneve përreth Sheshit, por edhe të rezidentëve, në sipërfaqe nuk do të ketë më makina sikundër shihen tani”,- pohon Shalsi. Sipas tij, parkimet nëntokësore janë konceptuar të ndërtohen në mënyrë ku nga sipërfaqja të mos kuptohet ekzistenca e tyre. Për këtë arsye Shalsi thekson se edhe ky shesh do të ridesinjohet dhe do të rikonceptohet, dhe sipërfaqja e tij do të jetë pjesë e konkursit që ne do të organizojmë shumë shpejt për Sheshin “Nënë Tereza”. “Gara për ndërtimin e këtyre parkimeve nëntokësore do të jetë e hapur dhe transparente.
Ne do t’ju mbajmë të informuar për çdo hap të procesit dhe do të inkurajonim që qytetarët e Tiranës t’i ndjekin me vëmendje dhe interes këto projekte të rëndësishme për kryeqytetin” – thekson Shalsi.