Korçë, bllokohen tetë pika të gazit të lëngshëm
KORÇË- Shpërthimet e fuqishme të bombolave të gazit në qytetin e Korçës, janë pasuar vetëm pas 24 orësh me masa drastike për njësitë e tregtimit të këtij produkti të rrezikshëm. Tetë njësi shitjeje të gazit të lëngshëm në qytetin e Korçës, të cilët kanë aktivitet në pika të ndryshme kryesisht në zona të banuara do të mbyllen, deri në pritje të një kontrolli teknik që do të kryhet ndaj tyre. Masa për pezullimin e përkohshëm të këtyre aktiviteteve private është marrë nga institucioni i Bashkisë pasi njësitë e tregtimit të gazit janë lënë jashtë kontrolleve të Inspektoratit Qendror Teknik. Bashkia pretendon se dyqanet në fjalë, në shumë raste janë të pasigurta duke rrezikuar dhe jetën e banorëve. Por pas kësaj kanë reaguar edhe tregtarët e bombolave të gazi, të cilët shprehen të indinjuar për këtë veprim ekstrem të marrë ndaj tyre. Madje ata e quajnë atë të pavend në një kohë kur shteti iu ka dhënë lejen dhe kur paguajnë të gjitha detyrimet si taksapagues ndaj bashkisë dhe organeve të tjera kompetente.
Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Korçës, mësohet se vendimi i saj vjen nga mosplotësimi i kushteve tekniko-ligjore i këtyre subjekteve të licencuara që ka detyruar atë të marrë vendim për mbylljen e këtyre pikave që ushtrojnë aktivitet poshtë pallateve të banuara dhe buzë rrugëve të brendshme duke përbërë rrezik për jetën e banorëve. Kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, ka bërë të ditur se kjo masë me vendosjen e shiritave vetëm pas 24 orësh, pas paralajmërimit të të gjitha subjekteve është marrë deri në kryerjen e kontrolleve nga një grup task-forcë që është kërkuar të ngrihet nga ana e institucionit të Prefektit vetëm për verifikimin e këtyre njësive të cilat rezultojnë pa vërtetime nga Inspektorati Teknik. “Situata e re e krijuar ndaj këtyre subjekteve ka ardhur pas shpërthimit të një prej pikave të tregtimit të gazit të lëngshëm gjatë të hënës në afërsi të qendrës së qytetit, ndaj është vendosur të mbyllen përkohësisht këto aktivitete pasi rezultojnë pa vërtetime teknike. Të gjitha subjekteve në fjalë iu është lënë një afat prej 24 orësh për të bërë mbylljen në mënyrë vullnetare, ndërsa do të vendosen shirita për bllokimin nga ana e policisë bashkiake”,- tha dje Niko Peleshi. Pas njoftimit zyrtar që ka mbërritur në tetë dyqanet që tregtojnë bombola gazi të lëngshëm, bashkia i ka kërkuar paralelisht me një shkresë zyrtare edhe institucionit të Prefektit të ngrejë sa më parë një grup task-force për verifikimin e këtyre pikave. Në kërkesën e bashkisë pohohej se nga ana e strukturave përkatëse ka pasur një indiferentizëm në këtë drejtim në një kohë që këto pika të rrezikshme ushtrojnë aktivitet pranë qendrave të banuara, afër ose poshtë pallave, në afërsi të karburanteve, dyqaneve dhe rrugëve.
Pikat e gazit të lëngshëm që kanë marrë edhe vendimin nuk e kanë kundërshtuar ushtrimin e kontrolleve madje kanë pranuar pezullimin e përkohshëm edhe pse në dëm të biznesit vetëm që qytetarët të jenë të sigurt se këto aktivitete nuk do të rrezikojnë jetën e tyre nga shpërthimet. Pëllumb Beqirllari, një nga tregtarët e pikave të gazit, pohon se rasti i shpërthimit nuk duhet të nisë me ndëshkimin e të gjitha aktiviteteve, të cilat nga ana e tyre mund të jenë të rregullta dhe të zbatojnë kriteret dhe standardet. Megjithatë, sipas tij, pronarët e pikave janë të hapur ndaj kontrolleve dhe masave të sigurisë me qëllim që edhe qytetarët të sigurohen se këto pika për sa kohë që janë të siguruara teknikisht nuk mund të jetë vatra rreziku. Por duket se sipas pronarëve të këtij aktiviteti, ndëshkimi i bashkisë është dhe antiligjor, pasi ky biznes është ngritur në bazë të disa kritereve që ata kanë përmbushur. Sipërmarrësit në fjalë thonë se do të protestojnë, ndërsa incidenti sipas tyre duhet të zbardhet nga organet kompetente për të sqaruar dhe opinionin për shkakun real të tij.