E Shtunë, 31 Tetor 2026

G7 mbledh Ministrat e Financave

Ministrat e financave të vendeve anëtare të G7-ës do të mbajnë sot një telekonferencë emergjente mbi krizën e borxhit në Eurozonë, kryesisht mbi sistemin bankar spanjoll. Greqia, Irlanda dhe Portugalia deri tani u janë drejtuar programeve të ndihmës ndërkombëtare dhe tregjet financiare janë në tension për atë se cka mund të ndodhë edhe me krizën bankare që ka përfshirë Spanjën, nëse edhe ajo do tu drejtohet ndihmave të jashtme në mbështetje të sistemit bankar. Telekonferenca mes ministrave të SHBA, Kanadasë, Japonisë, Britanisë së madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, do të zhvillohet pa praninë e mediave, ndërkohë që ministri i Financave kanadeze, duke thyer këtë rregull ka bërë me dije deklaratat gjermane se Spanja është vendi i fundit i eurozonës  që gjendet nën presionin e tregjeve për të vendosur nëse do të kërkojë ndihmë financiare nga jashtë. Sipas kryefinancierit kanadez, shqetësimi i vërtetë mbetet Europa, me disa banka të mëdha në vështirësi, por edhe disa vende të Eurozonës të cilat nuk kanë realizuar ende masa të mjaftueshme mbi kapitalizimin e këtyre bankave. Gjithashtu në këto bisedime do të përfshihen edhe zgjedhjet e qershorit në Greqi. Një ditë më parë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se tregjet mbeten skeptike mbi masat e marra deri më tani nga Europa për të siguruar rimëkëbjen, duke kritikuar Europën për pamjaftueshmërinë e veprimeve konkrete në luftën ndaj krizës, e cila sipas SHBA kërcënon jo vetëm ekonominë e tyre por edhe atë botërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›