E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëm në Shqipëri ka municione aq të lira

 

Pas çështjes shqiptare, ushtria amerikane do të ndryshojë mënyrën e tenderimit të municioneve

Ushtria amerikane ka nisur procedurat për ndryshimin e mënyrës së tenderimit dhe blerjes së armëve dhe municioneve ushtarake, kryesisht drejt vendeve si Iraku dhe Afganistani. Nisma e fundit e ushtrisë amerikane ka ardhur pas skandalit të municioneve kineze që u blenë në Shqipëri në mënyrë tepër të dyshimtë nga 22-vjeçari Efraim Diveroli. Kompania AEY u pezullua muajin e kaluar pasi hetimi i Ushtrisë tregoi se ajo kishte blerë municionet e vjetra e të papërdorshme kineze në vendin tonë duke i faturuar sikur ishin hungareze. Gazeta prestigjoze amerikane NY Times ka publikuar dje një tjetër artikull ku jepen detaje të reja në lidhje me skandalin e armëve që implikon edhe vendin tonë. Sipas saj, Shqipëria ishte një nga të paktat vende ku Diveroli mund të blinte municione me një çmim aq të lirë.

Sipas NY Times, Ushtria amerikane nuk ka marrë aspak parasysh mundësinë e armëve të prishura që mund të bliheshin me çmime aq të lira nga AEY. “Problemet ishin të dukshme teksa Diveroli është parë duke bërë pazar në një ekspozitë armësh. Paratë që ai kishte marrë ishin shumë pak për të blerë municione me cilësi”,- kanë pohuar zyrtarët amerikanë. Gjenerali William E. Mortensen, i cili është edhe nënkryetari i seksionit të armëve në Ushtrinë amerikane, se pas ngjarjes me armët e blera në Shqipëri do të ndryshojë tërësisht. “Më duket se çmimet e dhëna nga Diveroli kanë qenë shumë më të ulëta se sa rivalët e tij që konkurronin për të njëjtën kontratë”,- ka pohuar avokati i AEY, Shapiro. Sipas NY Times, pikërisht çmimi është një faktor kyç në këtë çështje. Qeveria shqiptare i ka shitur municionet e saj për 2.2 cent dollari pakoja, një çmim që sugjeron qartë cilësinë e tyre. Firmat e tjera që kanë dërguar municione në Afganistan kanë paraqitur çmime që arrinin deri në 30 cent dollari për pako, pra dhjetë herë më shumë se sa Diveroli. Përpara se të bënte Pazar në Shqipëri, Diveroli ka kërkuar në shumë vende për municione të lira dhe ka arritur që të gjejë raketa kundratanku për 30 dollarë copa kur realisht ato kushtojnë nga 60 deri në 85 dollarë. “Me çmimet e tij nuk mund të konkurronte askush”,- kanë pohuar firmat rivale.

Të paktën tre komitete të Kongresit amerikan kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje dhe në javët e ardhshme pritet të zhvillohen seanca dëgjimore me personat përgjegjës. “Ne po shikojnë se çfarë kemi bërë me këtë kontratë. E pranojmë se duhet të bëjmë ndryshime”,- pohoi gjenerali William E. Mortensen. Një nga problemet e evidentuara në këtë rast është se oficerët që kontrollojnë kontratat nuk janë të specializuar në njohjen e municioneve të vjetra.

Problemeve të AEY i janë shtuar edhe deklaratat e shumë prej kompanive të tjera si ajo, të cilat kanë pohuar se në rastin konkret janë përdorur ndërmjetës që janë të shënuar në listën e personave të dyshimtë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Vetë AEY nuk ka dhënë detaje për Ushtrinë në lidhje me nënkontraktorët e saj, të cilët duhet të ishin kontrolluar me imtësi. Një ndër nënkontraktorët e dyshimtë është edhe Henry Tomei, i cili kishte ngritur firmën fantazmë në Qipro dhe mbante lidhje me zyrtarët shqiptarë. “Vetë Diveroli është përgjuar duke sugjeruar korruptimin e zyrtarëve shqiptarë për të marrë municionet”,- kanë pohuar zyrtarët amerikanë. Hetimeve u janë shtuar edhe hetuesit federalë, të cilët pak ditë më parë kanë kontrolluar zyrat e AEY në Miami. Avokati i Diverolit i është shmangur shumë prej pyetjeve të bëra nga gazeta NY Times në lidhje me këtë çështje por ai ka deklaruar se “AEY ka marrë këto kontrata për shkak se ajo ka vazhduar të bëjë oferta dhe ka qenë korrekte në dorëzimin e mallit”. Në total AEY e Diverolit ka dërguar në Afganistan 125 milionë fishekë, të cilat janë marrë në Shqipëri dhe janë prodhim i vitit 1960. Në lidhje me municionet shqiptare, agjencitë amerikanë janë shprehur me shumë rezerva për vetë faktin se janë të vjetra, të keq mbajtura dhe agjencia e shitjes së armëve është implikuar shpesh herë në skandale armësh. “Është shumë e çuditshme që qeveria amerikane ka lejuar blerjen e municioneve shqiptare sepse të gjithë e dinë se municionet shqiptare nuk janë shumë të mira”,- ka pohuar për NY Times analisti i një agjencie të njohur, Peter Danssaert.

Marrë nga NY TIMES

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›