E Hënë, 2 Nëntor 2026

BB-FMN kundër Qeverisë për trenin elektrik

24/05/2005  Dy institucionet ndërkombëtare kanë kundërshtuar ashpër miratimin e kredisë për linjën elektrike hekurudhore Tiranë- Rinas-Durrës

Banka Botërore dhe FMN-ja kanë kundërshtuar fuqishëm vendimin e qeverisë për miratimin e kredisë për projektin e hekurudhës që do të lidhë Tiranën me Rinasin dhe Durrësin. Reagime të ashpra në nivel politik dhe teknik të dy instituconeve janë bërë publike në shtyp tri ditë pasi qeveria miratoi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kredinë me terma tregtarë për ndërtimin e hekurudhës. Bëhet fjalë për kredinë prej 63.5 milionë euro dhe 13.5 milionë dollarë që ABN Amro dhe Banka Amerikane e Shqipërisë do t’i japin qeverisë për të bërë të mundur finalizimin e projektit të shumë përfolur të trenit elektrik. Institucionet financuese dhe monitoruese të qeverisë për shumë projekte, kanë bërë të ditur se janë mjaft të shqetësuar për vendimin e qeverisë dhe mbi të gjitha për kokëfortësinë e saj në zbatimin me çdo kusht të një projekti të cilësuar si mjaft problematik. Pas kundërshtimeve në mars të këtij viti, BB-ja dhe FMN-ja ribashkojnë opinionet e tyre kundër këtij projekti, që është cilësuar si shumë i rrezikshëm për Buxhetin e Shtetit dhe pa leverdi ekonomike. Kështu, nëpërmjet një deklarate për shtyp, përfaqësuesi i FMN–së, Jan Peter Olters, e ka cilësuar projektin si shumë të shtrenjtë për xhepin e qeverisë shqiptare. “Ky projekt është shumë i madh dhe shumë i shtrenjtë që të kryhet mbi parashikimet buxhetore aktuale”, ka deklaruar Olters. Duke iu referuar termave të kredisë, Olters ka argumentuar se “kredia ka një normë interesi më të lartë sesa projektet aktuale të kontraktuara me terma koncensionare, çka kufizon mundësinë e qeverisë për të zbatuar projekte të tjera, aktualisht të parashikuara në kuadrin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit ekonomik dhe social”, ka bërë të ditur në deklaratën për shtyp, Jan Peter Olters. Të njëjtin koment ka bërë dhe BB-ja, e cila ka amplifikuar kundërshtimet e FMN-së, duke bërë vlerësimin më negativ për projektin. “Studimet e kryera deri më sot tregojnë se ky projekt do të kishte një bilanc financiar negativ shumë të madh”, ka bërë të ditur në deklaratën për shtyp Banka Botërore. Duke rreshtuar argumentat e saj kundër BB-së, ka sqaruar se “është e shqetësuar nga mungesa e analizës ekonomike dhe e përfitimeve sociale që mund të rezultojnë nga projekti, të cilat do të ishin shumë të rëndësishme për justifikimin e kostos së madhe të këtij projekti, e barabartë me mbi 1 për qind të GDP-së së Shqipërisë”, bën të ditur Banka Botërore. Të dyja institucionet ndërkombëtare janë përqëndruar dhe në formën e konsideruar si të gabuar të zbatimit të projektit, që për FMN-në po bëhet në një kohë të gabuar për buxhetin e qeverisë, ndërkohë që për BB-në ka dhe probleme serioze në tenderim. “Në opinionin e Bankës, procedura e tenderit të hapur, transparent dhe konkurrues, është një parakusht i domosdoshëm, që siguron akordimin dhe përdorimin me efektivitet të burimeve të pakëta publike”, ka sqaruar në deklaratën për shtyp Banka Botërore. BB-ja i ka bërë të ditur nëpërmjet deklaratës për shtyp qeverisë, se mbështet rekomandimin e Planit Kombëtar të Transportit të përfunduar kohët e fundit, sipas të cilit, nevojiten masa emergjente për ristrukturimin e hekurudhave shqiptare, me qëllim përmirësimin e shërbimeve, mbulimin maksimal të kostos dhe rritjen e qëndrueshmërisë operacionale të hekurudhave. “Vetëm me fillimin e këtij ristrukturimi, besojmë se një investim në linjën hekurudhore Tiranë-Durrës, brenda kuadrit të një plani të shëndoshë biznesi, mund të ishte i justifikuar”, bëhet e ditur në deklaratën për shtyp.

FMN kundërshtimet

-Kredia ka një normë interesi më të lartë sesa projektet aktuale të kontraktuara me terma koncensionare

-Kufizohet mundësia për të zbatuar projekte të tjera, aktualisht të parashikuara në kuadrin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social (SKZHES)

- Ky projekt është shumë i madh dhe shumë i shtrenjtë që të kryhet mbi parashikimet buxhetore aktuale

-Rrezikon stabilitetin makroekonomik dhe situatën e favorshme për rritjen që vjen nga rënia graduale e normave të interesit dhe e shoqëruar me investime në sektorin privat—impakti buxhetor

- Ndryshon parametrat e huamarrjes së brendshme

BB kundërshtimet

-Ka mungesë të analizës ekonomike dhe e përfitimeve sociale që mund të rezultojnë nga projekti

-Kosto e projektit është shumë e lartë, e barabartë me mbi 1 për qind të GDP-së së Shqipërisë

-Studimet tregojnë se ky projekt do të kishte një bilanc financiar negativ shumë të madh

-Nuk ka përshtatshmëri teknike të disa prej investimeve të propozuara në projekt

-Nuk ka procedura të një tenderi të hapur transparent dhe konkurrues

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›