E Hënë, 2 Nëntor 2026

BE, e pakënaqur me ligjin për konkurrencën

24/05/2005  Ja çfarë kërkohet të ndryshohet në ligjin e ri për konkurrencën

Ligji i konkurrencës i miratuar në korrik të 2003-shit, nuk është konsideruar si i përshtatshëm nga BE-ja, e cila ka kërkuar përgatitjen e një tjetër ligji. BE-ja ka cilësuar në raportin e 2004-ës disa nga aspektet pozitive të këtij ligji, por pa ”harruar” të shtojë mungesat dhe problemet që mund të sjellë ligji aktual.

Duke iu referuar sektorit informal, që vazhdon të jetë në përmasa të mëdha në ekonominë e vendit, BE-ja ka kërkuar të punohet më shumë për të përmirësuar ligjin në aspektin juridik si dhe në shumë praktika të prokurimit dhe të privatizimeve në vend. ”Gjendja e Shqipërisë, ku tregu informal zë ende një peshë të konsiderueshme, vazhdon të jetë pengesë për konkurrencën e ndershme ndërmjet kompanive të tregut formal dhe atyre të tregut informal“, ka bërë të ditur BE-ja në raportin për Shqipërinë në 2004-ën. Duke e konsideruar këtë fakt si një ndikim negativ në rritjen e investimeve të huaja, BE-ja ka përcaktuar qartë sektorët ku ligji duhet të pësojë ndryshime. ”Shqipëria duhet të forcojë mbrojtjen juridike të konkurrencës, për shembull, politikat horizontale që nxisin konkurrencën nëpërmjet liberalizimit, përmirësimin e praktikave të prokurimit publik, sigurimit të një përqasjeje pro konkurrencës në privatizime dhe një forcim tërësor të shtetit ligjor“, ka bërë të ditur BE-ja në raportin e vet.

Sipas raportit të BE-së për Shqipërinë në 2004-ën, ligji i njeh autoriteteve të konkurrencës të drejtën e iniciativës për të filluar procedurat hetimore. Ai parashikon gjithashtu edhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërmjet këtij organizmi nga njëra anë, dhe organizmave të tjera publikë dhe privatë, enteve rregullatore, gjykatave apo autoriteteve të tjera kompetente nga ana tjetër. Por, pikërisht në këtë pikë, BE-ja ka ndërhyrë duke kujtuar se, nuk janë miratuar ende aktet normative, megjithëse sipas ligjit kjo gjë duhej të bëhej deri në fund të vitit 2003. Sipas BE-së, vonesat u shkaktuan nga mungesa e marrëveshjes politike për përbërjen e Komisionit të Konkurrencës, i cili ishte kusht paraprak për miratimin e akteve normative. “Tashmë, kur kjo çështje është zgjidhur dhe Komisioni është ngritur, autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë zbatimin e ligjit nëpërmjet miratimit sa më shpejt të këtyre akteve të nevojshme”, bën të ditur BE-ja në raportin për Shqipërinë në 2004-ën. Mes sugjerimeve për funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës, BE-ja ka theksuar se Shqipëria duhet të vazhdojë gjithashtu përpjekjet për plotësimin me burimet e nevojshme njerëzore të këtij autoriteti të pavarur.

Raporti përmend dhe faktin se, aktualisht, në Ministrinë e Ekonomisë është funksional Departamenti i Konkurrencës, i cili tani përbëhet nga nëntë punonjës. “Ky departament ka ndihmuar në mënyrë aktive në përmirësimin e kuadrit normativ dhe në trajtimin e një sërë ankesave lidhur me konkurrencën e pandershme me rreth 7 raste dhe antitrustin me 5 raste”, bën të ditur raporti. Ndërkaq në rrafshin e ndihmave shtetërore, struktura e ngritur brenda Ministrisë së Ekonomisë, me aktualisht vetëm dy ekspertë, vazhdon të mbetet e paplotësuar me personelin e nevojshëm. Sipas të dhënave, është hartuar një studim për zhvillimin e kuadrit ligjor në këtë fushë dhe ka filluar puna paraprake për përgatitjen e inventarit të skemave të ndihmës shtetërore të aplikuar në Shqipëri dhe për përllogaritjen e Prodhimit Kombëtar Bruto (PKB), sipas shkallës NUTS II. “Këto nisma duhen vazhduar për të qenë transparente nëpërmjet hartimit të një liste dhe sistemi raportues sa më të plotë lidhur me të gjitha llojet e ndihmave ekzistuese, bazuar në përcaktimin e BE-së mbi ndihmën shtetërore”, ka bërë të ditur në raport BE-ja, duke kërkuar dhe miratimin e një kuadri ligjor të përshtatshëm për këtë fushë. “Megjithëse këto hapa paraprakë janë për t'u përshëndetur, zhvillimi i një regjimi të plotë të kontrollit të ndihmave shtetërore do të kërkojë mesa duket një masë të konsiderueshme kohe, përpjekjesh dhe burimesh”, ka bërë të ditur BE-ja në lidhje me kontrollin e ndihmave shtetërore.

Pikat ku duhet të ndryshohet ligji

Duhet të bëhet një forcim tërësor të shtetit ligjor

Duhet të forcohet mbrojtja juridike e konkurrencës

Duhet të përmirësohen praktikat e prokurimit publik

Duhet të përmirësohet konkurrenca nëpërmjet liberalizimit

Duhet të sigurohet një përqasje pro konkurrencës në privatizime

Duhen miratuar aktet normative për funksionimin e ligjit

Duhen përmirësuar burimet njerëzore në autoritetin e pavarur të konkurrencës

Duhet përmirësuar sistemi raportues për ndihmat shtetërore

BE, ekspertët e vet për përgatitjen e ligjit

BE-ja ka marrë vetë në dorë çështjen e konkurrencës, duke vënë në dispozicion të qeverisë shqiptare dhe biznesit vendas një grup me 14 ekspertë shqiptarë dhe të huaj, të cilët do të përbëjnë dhe bërthamën e ekspertëve që do të përgatisin ligjin e ardhshëm të konkurrencës. “Ligji për konkurrencën duhet të jetë më afër realitetit shqiptar dhe standardeve të legjislacionit për konkurrencën dhe ligjit të subvencionimit në Bashkimin Evropian“, kanë bërë të ditur ekspertët e BE–së. Kështu pas sondazheve që do t’i bëhen një pjese të mirë të biznesit, që është nën ndikimin e drejtpërdrejtë të konkurrencës, ekspertët e BE-së do të punojnë dhe me specialistë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Autoritetit të Konkurrencës, për të përgatitur në fund një ligj që pritet të jetë mjaft i ndryshëm nga ai aktual. Pjesa e legjislacionit që i takon konkurrencës, përbën një nga pikat themelore të detyrimeve që qeveria duhet të përmbushë përpara se të fillojë procesin e asocim–stabilizimit. Raporti i FIAS, para pak kohësh bëri të ditur shumë nga ndryshimet që duhet të bëjë qeveria në procesin e licensimit dhe heqjes së barrierave si dhe në ligjin për konkurrencën, në mënyrë që t’i jepen të gjitha shanset bizneseve të konkurrojnë në mënyrë të ndjeshme. Ligji aktual për konkurrencën në Shqipëri është cilësuar nga mjaft ekspertë se nuk është i përshtatshëm për zhvillimet ekonomike në vendin tonë, por ai gjithashtu nuk është në përputhje të plotë me pjesën tjetër të legjislacionit, e veçanërisht me Kodin Civil. “Ne do të japim ndihmën tonë profesionale në ndërtimin e autoritetit të ndihmës shtetërore dhe riorganizimin e strukturës organizative të autoritetit të konkurrencës”, ka bërë të ditur Malkolm Gylee, drejtuesi i grupit të ekspertëve që do të përgatisin draftin e ligjit, i cili vjen nga Anglia dhe ka një përvojë e kontribut të pasur në ndërtimin e legjislacionit për konkurrencën në Britaninë e Madhe, por edhe në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›