E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Fillimi i 2010 pritet i mbarë

Kriza ekonomike do të vijojë gjatë gjithë vitit 2009, duke ndikuar ndjeshëm në uljen e ritmit rritës të të ardhurave. Vetëm në fillim të vitit 2010, ekspertët mendojnë për një stabilizim të situatës ekonomike. Banka Botërore publikoi dje "Perspektiva Ekonomike Globale 2009", e cila në thelb flet për një rritje jashtëzakonisht të ulët në vitin 2009 për botën në zhvillim dhe një rimëkëmbje të lehtë për vitin 2010. Lidhur me rajonin ku bën pjesë edhe Shqipëria, në raportin e Bankës Botërore thuhet se "zhvillimet e fundit e kanë prekur shumë rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Në 2009, pritet që Prodhimi i Brendshëm Bruto të bjerë me 2 për qind krahasuar me rritjen prej 4.2 përqindësh të saj gjatë vitit 2008". Sipas Justin Yifu Lin, kryeekonomist pranë Bankës Botërore, rënia e rritjes për rajonin, krahasuar me parashikimin e bankës në nëntorin e kaluar, është 4.8 pikë dhe përbën rënien më të madhe midis rajoneve në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Parashikimet flasin se rritja ekonomike në të gjithë botën do të bjerë në nivelin e 2.1 përqindëshit nga 5.8 për qind që ishte në vitin 2008. Pasojat e krizës kanë përfshirë prej tre muajsh edhe vendin tonë, duke u reflektuar në aktivitetin e tregtisë së jashtme. Eksportet dhe importet kanë pësuar rënie, kurse bizneset e këtij sektori nuk po gjejnë hapësira tregu që të shesin produktet e tyre. Jo vetëm kaq, por edhe konsumi i brendshëm për produkte të ndryshme ka pësuar rënie. Aktiviteti duket se po tkurret, ndërsa nevojitet një lëvizje nga ana e bankave. Sa i takon rritjes ekonomike për Shqipërinë, nuk ka një të dhënë të saktë nga qeveria dhe institucionet përkatëse. Banka e Shqipërisë parashikon një nivel 4.5-5 për qind, kurse qeveria deklaron 6.2 për qind. Institucionet e huaja si Banka Botërore, FMN apo BERZH shikojnë si nivel të rritjes ekonomike segmentin 3.5-4 për qind.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›