E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Kriza, duhet të ndajmë detyrat

Viti 2009, në kushtet e thellimit të mëtejshëm të krizës ndërkombëtare, do ta përballë ekonominë shqiptare me disa sfida të reja. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë flasin për disa skenarë të errët për ekonominë, eliminimi i të cilëve do të kërkojë mjaft punë. Ndryshe nga paralajmërimet e mëparshme, me sfond këshillues, kësaj here guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, sugjeron një punë në grup, në mënyrë që masat të jenë sa më të efektshme. "Politikat monetare dhe ato fiskale duhet të përshtaten në vazhdimësi, në përputhje me ecurinë e objektivit për të siguruar qëndrueshmërinë e treguesve makroekonomikë dhe financiarë të vendit", thotë BSH. Veprimtaria e ndërmjetësimit të sektorit bankar dhe sistemit financiar në tërësi, për financimin e nevojave të sektorit publik dhe veçanërisht të sektorit privat, pritet të jetë në vëllime më të ulëta dhe kosto më të lartë, për shkak të paqëndrueshmërisë së faktorëve që lidhen me kërkesën dhe ofertën. Sektori i sipërmarrjeve të biznesit dhe individët do të përjetojnë rritje të vështirësive për financim. Ky faktor, sipas BSH-së, do të nxisë një proces ristrukturimi, i cili në afat të shkurtër do të rezultojë i mundimshëm dhe do të rrisë pasigurinë për ruajtjen e vendeve të punës. Përfitimi i sektorit bankar gjatë vitit pritet të ndikohet nga rënia e vëllimit të kreditimit dhe rritja relative e kostos së veprimtarisë. Megjithatë, nga testet e bëra në treg, si nga Banka e Shqipërisë, ashtu dhe vet bankat, rezulton se sistemi nuk i është i prekur nga kriza. "Gjatë kësaj periudhe do të jetë e nevojshme të ruhet një komunikim i rregullt me përfaqësues të sektorëve realë të ekonomisë dhe të sektorit financiar, për të diskutuar zhvillimet në sektorët respektivë. Nevoja për harmonizim veprimesh shtrihet edhe në nivel ndërkombëtar e rajonal, për sa kohë që kjo krizë mund të ndikojë mbi vendet e rajonit në mënyrë të ngjashme", sugjeron guvernatori, i cili në ditët e fundit ka rritur tonet ndaj përgjegjësive që duhet të mbajë qeveria rreth krizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›