E Diel, 1 Nëntor 2026

BB, Kiene rrëzon qeverinë: Raporti ska falsitete

Kreu i Panelit të Inspektimit, Werner Kiene reagon psa akuzave të qeverisë shqiptare: Akuzat nuk i kuptoj por në raport nuk ka falsitete. banorët e Jalës takojnë përfaqsuesen e BB-së, Nuamah e cila u premton asistencë ligjore. 

TIRANE- I ndodhur në qendër të akuzave të kryeministrit Berisha  kryetari i Panelit të pavarur të  Inspektimit pranë Bankës Botërore , Werner Kiene  është shprehur se “Paneli është një organ fakt-mbledhës. Puna jonë karakterizohet nga pavarësia, paanshmëria dhe integriteti. Duke parë transparencën e shfaqur nga Paneli dhe raporti i tij, unë nuk e kuptoj se përse akuzohemi për korrupsion dhe ryshfet”, - tha ai. Një javë më parë, shefi i ekzekutivit shqiptar gjatë një konference shtypi pati akuzuar fort Panelin e Inspektimit pranë Bankës Botërore, për para të marra nën dorë për të hartuar një raport të mbushur sipas tij me falsitete. Duke komentuar akuzat e kryeministrit Berisha, kryetari i Panelit dhe njeriu kryesor i akuzuar direkt prej tij, zoti Kiene jo vetëm i ka hedhur ato poshtë, por ka sqaruar madje se “Paneli nuk heton vendin huamarrës. Ne hetojmë përputhshmërinë e Bankës Botërore me politikat dhe procedurat e saj. Ashtu siç konkludoi takimi i fundit i Bordit dhe siç u raportua në një komunikatë për shtyp, Banka Botërore është dakord me konstatimet e Panelit. Kështu që në raport nuk ka pasur falsitete”, - ka deklaruar në prononcimin e tij Kiene.
Një përfaqësi prej 14 banorësh të zonës bregdetare të Jalës kanë zhvilluar dje një takim në selinë e Bankës Botërore në Tiranë. Mësohet se gjatë takimit i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura ata janë konsultuar me përfaqësuesen e BB-së në vendin tonë, Camille Nuamah, mbi asistencën ekonomike të premtuar nga Banka. Gjithashtu, Banka Botërore mësohet se ka vendosur të asistojë me avokatë shpenzimet e duhura dhe paditë që do të ngrenë këta banore ndaj shtetit shqiptar, për të kërkuar dëmshpërblim për prishjen e padrejtë sipas tyre të banesave. Dy ditë më parë Banka Botërore përmes përfaqësueses së saj në vendin tonë, Nuamah deklaroi se “ka qenë një gjykim i dobët dhënia e moskundërshtimit nga ana e Grupit të Menaxherëve, për emërimin e dhëndrit të kryeministrit si koordinator i projektit për menaxhimin e integruar dhe pastrimin e zonës bregdetare”. Në prononcimin e saj për mediat ajo theksoi gjithashtu edhe faktin se BB-ja nuk do të braktisë banorët, të cilëve pikërisht nën emrin e një projekti që do t’i nxirrte nga varfëria, për ironi të fatit iu prishën banesat dhe mbetën të pastrehë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›