E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enti i Banesave: Mungesa e ujit, faji i KRRT-së

26/02/2009  Apartamentet për të pastrehët/ U pranua projekti pa sistemin e furnizimit

Komisioni i Shpërndarjes, nën hetim për shpërdorim detyre dhe mitmarrje

ELBASAN-Banorët kanë të drejtë për ujin e pijshëm, por projekti është miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë. Kjo e fundit duhet të kishte menduar sesi do të mbërrinte uji në katin e tetë, tha drejtori i Entit të Banesave në Elbasan Sali Cani. Në një deklaratë ai ka konfirmuar se për pallatin e të pastrehëve të ndërtuar me fondet e buxhetit të shtetit ka pasur ankesa, por ato sipas tij nuk varen nga ky institucion. Duke theksuar detaje të projektit Cani ka konfirmuar se pallati është projektuar me 8 kate, 40 apartamente, kafazin e ashensorit, por pa ashensor, pa pompë për furnizimin me ujë të pijshëm, me kosto 24-25 mijë për m2 dhe ka qenë tip 88/5 i përpunuar.

“Ky objekt i ndërtuar në Elbasan është ndërtuar i tillë edhe në rrethe të tjera madje edhe me një kosto më të lartë. Firma fituese e fitoi me vlerën 710 milionë të vjetra pra me kosto më të ulët ndryshe nga Korça që pati një vlerë për 930 milionë për të njëjtin pallat. 5% e fondit është mbajtur situacion”. Ai sqaron edhe momentin e mosvendosjes së ashensorit, por edhe problemin e ujit të pijshëm. “Projekti për mungesën e ashensorit ka qenë për faktin se do të strehoheshin familje të varfra dhe ashensori ka nevojë për shpenzime të tjera shtesë për çdo familje. Ndërkohë për ujin e pijshëm ne jemi përpjekur për vendosjen e një pompe qendrore, por kërkesa jonë pranë Entit Kombëtar të Banesave nuk u miratua sepse objektivi i këtij institucioni është të ndërtojë vetëm objektin, sipërfaqen e banimit dhe jo mjetet e tjera shtesë siç është zgjidhja e problemit të ujit. Projekti i parë që ka kaluar në KRRT-në e bashkisë nuk ka të parashikuar mënyrën se si do të furnizohen me ujë katet e larta. Ky projekt ka marrë lejen e ndërtimit. Kjo e fundit duke pasur parasysh kontratën me Ujësjellësin për furnizimin me ujë të pijshëm deri në katin e katërt nuk duhet të kishte miratuar projektin pa një zgjidhje për furnizimin me ujë të pijshëm të këtij pallati”. Sa për dëmtimet e regjistruara dhe cilësinë e dobët Cani është përgjigjur se firmës sipërmarrëse i është mbajtur një garanci prej 3 milionë lekësh të reja. Brenda kësaj garancie firma duhet të riparojë dëmtimet apo defektet në të kundërt nuk i kthehen paratë. Afati përfundimtar i kësaj garancie është dhjetori i këtij viti”. Pallati i strehimit është kthyer në një objekt hetimi dhe për dëshminë e tij është thirrur edhe kreu i Entit të Banesave Cani. Ai ka dëshmuar për procedurat e ndjekura për lidhjen e kontratës së qytetarëve dhe për rolin e Entit në këtë proces. Procedurat e pallatit të strehimit i ka verifikuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ndërkohë hetimet vazhdojnë dhe mësohet se padia ka ardhur nga disa qytetarë. Numri i të pyeturve ka kaluar 40 persona ndër të cilët përfitues të apartamenteve dhe këshilltarë të Këshillit Bashkiak. Akuza drejt të cilës po hetohet është shpërdorim detyre dhe mitmarrje për drejtuesit dhe anëtarët e Komisionit të Strehimit me ndarjen e 40 apartamenteve. Ende nuk bëhet i ditur emri i prokurorit të hetimit, por këshilltarët bashkiak kanë akuzuar një oficer gjyqësor se po heton pa tagër e po shkel procedurat duke vënë nën hetim vetë Këshillin Bashkiak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›