E Diel, 1 Nëntor 2026

Lehtësim vizash dhe trajtim në dogana për bizneset

26/02/2009  Deputeti grek, vizitë në Elbasan

ELBASAN-Deputeti i Prevezës dhe njëkohësisht drejtuesi i Komisionit parlamentar për Miqësinë Greqi-Shqipëri, Giorgos Trifonidis, është ndalur në Elbasan i shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i Parlamentit shqiptar për miqësinë Shqipëri-Greqi Aurel Bylykbashi. Pasi është njohur fillimisht me Elbasanin nëpërmjet prefektit Shefqet Deliallisi dhe kreut të Këshillit të Qarkut Ardian Turku, ai ka zhvilluar një takim të zgjeruar me biznesmenët e Elbasanit. I ndjekur edhe nga drejtuesja e zyrës së shtetit për minoritetet Konstandina Bezhani, deputeti grek ka mësuar të dhëna mbi veprimtarinë e firmave greke në Elbasan sidomos në fushën e prodhimit. Pas mirëseardhjes nga kreu i Dhomës së Tregtisë Veli Kazazi, sekretari i kësaj dhome është munduar që në fillim të sjellë shqetësimet e biznesit vendas. “Kemi pasur edhe bashkëpunim të mirë me ambasadën greke, por ky bashkëpunim ka qenë me hope. Shumë biznesmenë vihen në radhë, krijohen vonesa dhe madje trajtohen me viza shpesh edhe 10-ditore të pamjaftueshme. Ndërkohë pothuajse i njëjti trajtim bëhet edhe në doganë. Procedura të tejzgjatura dhe vonesa bëjnë që dogana të jetë një tjetër shqetësim për marrëdhëniet dypalëshe të biznesit”. Pjesëmarrësit në takim kanë ngritur edhe shqetësime të tjera si ndërhyrja e deputetit grek nëpërmjet bankës së Greqisë që kreditimi i filialeve në Shqipëri të vazhdojë, pasi sipas biznesit ende kriza nuk ka prekur Shqipërinë dhe sidomos sistemin bankar. Në përgjigjen e tij deputeti Trifonidis theksoi faktin se kërkesa e biznesit është shumë e drejtë. “Ju kërkoni vetëm të trajtoheni me përparësi me viza dhe po kështu në dogana. Kjo është një kërkesë normale e biznesit për të fuqizuar edhe marrëdhëniet që ne kemi krijuar. Ne jemi shumë më afër nga çfarë mendojmë se jemi dhe duhet të punojmë që rrugët tona të jenë të përbashkëta. Në takimin e parë që do të kem gjatë këtyre ditëve me ambasadorin grek në Tiranë do t’ia shtroj të gjitha problemet që keni hasur. Po kështu do të bëj propozimet e mia në Parlament që biznesi të marrë vlerësimin e duhur. Këtu mësova se veprojnë rreth 20 firma të përbashkëta-greko-shqiptare. Biznesi ka ecur më shpejt se politika”. Po kështu deputeti grek ritheksoi faktin se Greqia mbështet dhe është partnere me Shqipërinë për politikat e saj integruese në Bashkimin Evropian. Njohja me Elbasanin ka kaluar edhe nëpërmjet njohjes me kulturën e traditat e kësaj zone. Deputeti i Prevezës ka parë nga afër Muzeun Etnografik duke diktuar edhe ngjashmëri të mëdha mes dy kulturave. Në mos jemi vëllezër, jemi kushërinj të parë”, përfundoi ai gjatë kësaj ndalese të parë në qytetin e Elbasanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›