E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksa mbi tokën, sa do të paguhet në një viti për një hektar



Erald Kapri

Fermerët duhet të paguajnë taksën vjetore mbi tokën që ata punojnë. Ligji i miratuar vitin e kaluar sanksionon se çdo fermer që ka në pronësi mbi një hektar tokë, duhet të paguajë taksën vjetore, e cila ka një vlerë minimale për çdo rreth. Pavarësisht se toka mund të jetë lënë djerrë, taksa mbi të është e detyrueshme për pronarin e saj. Taksën e tokës e mbledh komuna përkatëse, e cila në bazë të ligjit mund të rrisë me 30 për qind vlerën e taksës, ose mund ta ulë po në të njëjtën vlerë. Ligji ka përcaktuar tarifat minimale, që do të thotë nën atë pjesë nuk mund të paguash. Tokat janë ndarë në kategori në bazë të pjellorisë të tyre dhe pikërisht në bazë të këtij kriteri bëhet edhe pagesa përkatëse në komunë. Mbledhja e taksës së tokës ka qenë prej kohësh një debat i cili nuk ka dhënë përfundime. Sipas ekspertëve, mbledhja e taksës së tokës nuk do të jetë e plotë për shkak të problemeve të migrimit të popullsisë, lënies së tokës djerrë, varfërisë në fshat dhe problemeve me pronësisë. Ministria e Bujqësisë mbetet optimiste për shkak se ky proces i ka kaluar pushtetit lokal, çka nënkupton një menaxhim dhe mbledhje më të mirë të kësaj takse të rëndësishme.
Taksa
Çdo rreth ka taksë më vetë. Të gjitha rrethet e Shqipërisë janë ndarë në katër kategori, sipas përkatësisë gjeografike. Pagesa maksimale është në rrethin e Tiranës dhe zonave fushore, ku në rast se toka është pjellore, atëherë taksa mund të shkojë deri në 5.6 mijë lekë të rinj në vit. Taksën më të ulët e kanë zonat malore. Për shembull, në Tropojë, Malësi e Madhe apo Ersekë taksa nuk është më e lartë se 1.4 mijë lekë. Baza e taksës mbi tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore në hektar, në pronësi të taksapaguesit. Sipërfaqja e tokës në pronësi përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë atë. Kategoritë minimale të tokave bujqësore përcaktohen nga pjelloria, gjë që e ka përcaktuar edhe ligji. Për çdo kategori minimale të tokës bujqësore, këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategorizime. Niveli i taksës caktohet në lekë për hektar. Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tatueshme. Ligji ka përcaktuar se përjashtohen nga taksa tokat bujqësore që mbillen me kultura drufrutore dhe vreshtari për pesë vitet e para nga çasti i mbjelljes. Taksa e mbledhur në mbështetje të këtij ligji paguhet në buxhetin e bashkisë ose komunës, në territorin e së cilës ndodhet prona e taksueshme.
Vërtetimi i pronësisë
Nisur nga detyrimi për pagimin e taksave nga fermerët, zyrat e taksave të bashkive dhe të komunave njohin dokumentet e vërtetimit të pronësisë sipas regjistrit të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Për këtë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme u japin të dhëna, pa shpërblim, bashkive dhe komunave për pasuritë e paluajtshme të regjistruara pranë tyre. Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme njoftojnë rregullisht, çdo 3 muaj, bashkitë dhe komunat për regjistrimet e reja të kryera dhe për ndryshimet e gjendjes së pronave. Nëse prona nuk është e regjistruar në regjistrin e pasurisë së paluajtshme, për efekt të detyrimit për pagimin e taksës nga taksapaguesit, zyrat e taksave të bashkisë dhe të komunës, për vërtetim pronësie njohin vërtetimin e pronësisë, vendimet e komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronës, vendimet e privatizimit ose dokumentet e tjera të lëshuara nga organet përkatëse shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës. Në rastin e mungesës së dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë, këshilli i bashkisë ose komunës vendos madhësinë e sipërfaqes së tatueshme, bazuar në vendimin e komisionit të verifikimit të pasurisë së paluajtshme. Organet e pushtetit vendor ngrenë komisionin e verifikimit të pasurive të paluajtshme, në rast mungese të dokumentacionit ligjor. Detyrat dhe funksionet e këtij komisioni përcaktohen me vendim të këshillit të bashkisë ose komunës. Në rast se një pronë shtrihet në territorin e më shumë se një bashkie ose komune, pavarësisht nga vendbanimi i pronarit, secila njësi vendore e trajton pjesën e pronës, që ndodhet brenda territorit të vet, si pronë më vete dhe zbaton mbi të dispozitat e ligjit.

Kategoritë minimale dhe nivelet treguese të taksës mbi tokën bujqësore
Klasifikimi sipas rretheve
Kategoria 1 Kategoria 2 Kategoria 3 Kategoria 4
Tiranë
Durrës
Kavajë
Krujë
Lezhë
Lushnjë
Fier
Vlorë
Sarandë Shkodër
Elbasan
Berat
Korçë
Delvinë
Kurbin
Peqin
Kuçovë Gjirokastër
Përmet
Pogradec
Librazhd
Dibër
Mat
Skrapar
Mallakastër
Devoll
Tepelenë Bulqizë
Has
Kukës
Tropojë
Pukë
Mirditë
Malësi
e Madhe
Gramsh
Ersekë

Vlera e taksës në lekë/hektar/vit
Klasifikimi sipas kategorisë së tokës Kategoria 1 Kategoria 2 Kategoria 3 Kategoria 4
I
II
III
IV
V
VI
VII-X 5 600
4 900
4 200
3 600
3 000
2 400
1 800 4 200
3 500
2 800
2 300
1 900
1 600
1 400 2 800
2 100
1 400
1 350
1 250
1 200
1 100 1 400
1 200
1 100
1 000
900
800
700

Parashikimet, taksë për mbi 600 mijë hektarë tokë

Sipas një relacioni të Ministrisë së Bujqësisë, deri sot, me veprimin e Ligjit 7501 si tokë e ndarë figuron të jenë ndarë rreth 563 mijë hektarë, ndërkohë që tokat e pandara ose në pronësi të shtetit mbeten rreth 137 mijë hektar. Në bazë të këtij informacioni mund të parashikohet edhe sasia e taksës që mund të mblidhet në bazë të ligjit. Ministria e Bujqësisë nënvizon se lidhur me këtë situatë ky dikaster e gjykon të domosdoshme hartimin e një ligji të ri, i cili duhet të jetë më eficent në zgjidhjen e problemeve të shumta, të cilat ligji i kaluar nuk iu ka gjetur dot një zgjidhje. Probleme këto që kanë të bëjnë me evidentimin e ndarjes së tokës. Maxhoranca dhe opozita kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë çështje.

Verifikim të gjithë titujve në tokën bujqësore

Kuvendi ka miratuar një ligj, nëpërmjet të cilit do të shqyrtojë nga e para të gjitha titujt e pronësisë që janë dhënë që nga viti 1991. Projektligji ka si synim që të përcaktojë kriteret e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, si dhe do të ngrejë struktura shtetërore, të cilat do të certifikojnë dhe të krijojë titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore. Sipas qeverisë, objekti i projektligjit do të prekë titujt e pronësisë të krijuar me sipërfaqet që në datën 1.8.1991 që kanë figuruar në regjistrat kadastrale, në zërin “Tokë bujqësore”, dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit 7501, që ka hyrë në fuqi në datë 19.7.1991. Njëkohësisht do të verifikohen sipërfaqet e tokave bujqësore që janë administruar nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore që kanë kaluar për ndarje për fshatrat nga vendimet e Ministrisë së Bujqësisë deri në datën 30.4.1998. objekti i projektligjit do të prekë edhe sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, sipas ligjit të vitit 1995. Projektligji përcakton se titujt e pronësisë që janë dhënë që më 1.8.1991, por që nuk kanë figuruar në hipotekë si tokë bujqësore, do t’u hiqet titulli i pronësisë pasi ajo llogaritet si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj.

137 mijë ha tokë e pandarë jepet me qira

Ministria e Bujqësisë ka lëshuar një urdhëresë ku përcakton kontratën dhe detyrimet për lëshimin me qira të 137 590 hektarëve tokë që figurojnë si të pandara me Ligjin 7501. Këto toka në pronësi shtetërore do të lëshohen me qira për çdo të interesuar. Tokat e pandara me Ligjin 7501 janë parë si mundësi e mirë për kompensimin e ish-pronarëve. Shtyrja e vazhdueshme e këtij procesi ka bërë që Ministria e Bujqësisë t’i shfrytëzojë këto toka bujqësore për qëllimet e shtetit. Ish-pronarët tashmë duhet të mësohen me idenë se tokat për momentin nuk do të jetë disponibël për Agjencinë e Pronave, por do të shfrytëzohen. Nga i gjithë fondi i tokave, rezultojnë 26 377 ha me origjinë nga ish-ndërmarrjet bujqësore që emërohen “disponibël shtetëror” dhe 111 200 ha me origjinë nga ish-kooperativat bujqësore, që evidentohen si “fond i tokave të pandara”. Ministria e Bujqësisë ka përcaktuar me anë të Urdhrit numër 234 të gjithë procedurën e qiradhënies së tokave të pandara. Kontratës i bashkëngjitet planimetria përkatëse e tokës së dhënë me qira. Ndërkohë, pushteti vendor duhet t’i garantojë qiramarrësit përfshirjen e sipërfaqes së tokës në programet e zhvillimit rajonal me kushte të barabarta me të gjitha pronat tokë bujqësore që posedohen nga pronarët e tjerë të ligjshëm si dhe t’i garantojë qiramarrësit pagimin e detyrimit dhe taksave financiare që rëndojnë mbi tokën bujqësore, për të gjithë kohën që kontrata është në fuqi.

16 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›