E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Kujdes me deficitin buxhetor

Drejtoresha e Bankës Botërore, Jane Armitage, i ka këshilluar qeverisë shqiptare të ketë kujdes me situatën aktuale makroekonomike, duke kërkuar një "politikë fiskale të kujdesshme". Armitage, e cila vizitoi Shqipërinë më 2-6 gusht, u takua me Kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Financave, Ridvan Bode, dhe me zëvendësguvernatorin e parë të Bankës së Shqipërisë, Fatos Ibrahimi.

"Znj. Armitage e vuri theksin te disa nga sfidat me të cilat përballet ekonomia shqiptare, duke u ndalur veçanërisht tek ecuria fiskale aktuale, përfshirë deficitin buxhetor dhe nivelin e borxhit, reduktimin e nivelit të kreditimit për ekonominë dhe deficitin e llogarisë rrjedhëse (korrente). Ajo vuri në dukje rëndësinë e një politike fiskale të kujdesshme, veçanërisht në kuadrin e përgjithshëm të krizës financiare dhe tendencës në ulje të remitancave", njoftoi BB në një deklaratë për shtyp.

Treguesit makroekonomikë të Shqipërisë janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë kohëve të fundit. Deficiti i buxhetit të shtetit vlerësohet se ka kërcyer në 6.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që deficiti i llogarisë korrente ka arritur në 16.6 për qind të PBB-së, sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë. Të dy treguesit janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Deficiti i lartë i llogarisë korrente është shkaktuar pjesërisht nga deficiti i lartë i buxhetit të shtetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›