E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Masat që duhen për të përballuar krizën

 

Qeveria duhet të rrisë ndihmën sociale për shtresat në nevojë, si dhe duhet të ulë përkohësisht tarifat doganore për mallrat ushqimorë. Një rekomandim i tillë vjen nga vetë ekspertët e Bankës Botërore. Sipas BB-së, marrja e këtyre masave do të ndikonte në zbutjen e krizës së çmimeve të mallrave ushqimorë, krizë e cila ka tronditur stabilitetin financiar të tregjeve amerikane dhe evropiane. Madje, sipas ekspertëve të BB-së, rritja e investimeve në sektorin e bujqësisë do të ndikonte në zbutjen e kësaj krize të çmimeve të ushqimeve. Shumë vende të botës përfshirë këtu edhe tregun vendas, u përballën me një rritje të madhe të çmimeve të mallrave ushqimorë. Në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë për politikën monetare për 6-mujorin e parë të vitit një vend të veçantë zënë edhe rekomandimet e BB-së për krizën e ushqimeve. Sipas Bankës Botërore, rritja e konsiderueshme e çmimeve të ushqimeve dhe lëndëve djegëse, e cila i ka fillimet e saj në gjysmën e dytë të vitit 2007, vazhdon të mbajë nën tension tregjet ndërkombëtare duke rrezikuar stabilitetin makroekonomik dhe rritjen ekonomike në pothuajse të gjitha vendet e botës, të zhvilluara ose jo. Për të përballuar një situatë të tillë Banka Botërore ka sugjeruar sugjeron tre mënyra të ndryshme ndërhyrjeje. Së pari, duhet të rritet ndihma sociale për të ndihmuar drejtpërdrejt grupet më të prekura nga kriza. Së dyti, masa afatshkurtra administrative (këtu përfshihen masa të tilla si ulja e tarifave dhe e taksave doganore mbi produktet bazë bujqësore). Këto masa rekomandohen të jenë të përkohshme sepse kanë kosto të larta fiskale. Sipas BB-së ato, duke u shoqëruar dhe me rritjen e ndihmës sociale mund të kërkojnë një rialokim të fondeve të buxhetit. Nga ana tjetër, ekspertët nuk mbështesin marrjen e masave të tilla si rritja e tarifave të eksportit të vendeve më të mëdha prodhuese të produkteve bazë ushqimore, të cilat jo vetëm nuk ndikojnë në uljen e çmimeve vendase, por dëmtojnë së tepërmi prodhimin bujqësor të atij vendi. Masa e tretë që kanë rekomanduar ekspertët e BB-së ka të bëjë me marrjen e masave për të nxitur rritjen e ofertës së produkteve ushqimore në periudhën afatmesme. Çmimet e larta të këtij viti mund të ndihmojnë në kthimin e tendencës në rënie të investimeve si qeveritare, ashtu dhe private në bujqësi. Sipas Bankës Botërore, është e rëndësishme të rriten investimet në sistemin ujitës dhe infrastrukturë duke lehtësuar mundësinë e shfrytëzimit të lëndëve të para, për të rritur produktivitetin në këtë sektor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›