Kryeministria, skemë e re për makinat
ADI SHKEMBI
Stafi politik i kryeministrit, zv.kryemin-istrit dhe drejtorët e drejtorive të përgji-thshme do të përfshihen në një skemë të re përsa i përket transportit. Kjo pasi, sipas një drafti të hartuar nga zv.kryeministri Genc Pollo, me skemën aktuale në inventarin e kryeministrisë vetëm 32 automjete janë në gjendje pune, nga 59 që janë në total. Këto automjete kanë një moshë mesatare prej 8 deri në 10 vjet dhe pas çdo viti që kalon gjendja e tyre përkeqësohet.
Drafti
Sipas dokumentit të hartuar nga zv.kryeministri Pollo, i cili do të shqyrtohet në një nga mbledhjet e ardhshme të qeverisë, funksionarët e lartë politikë dhe nëpunësit civilë të kryeministrit, zv.kryeministrit, sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, drejtorit të kabinetit të kryeministrit, shefit të Protokollit dhe zëdhënësit të kryeministrit, drejtorit të kabinetit të zv.kryeministrit, këshilltarëve të kryeministrit dhe të zv.kryeministrit, ndihmësve të kryeministrit, drejtorëve të përgjithshëm, drejtorëve të departamentit dhe drejtorëve të drejtorive do t'u garantohet shërbimi i transportit nga kryeministria. "Kryeministrit, zv.kryeministrit, sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, drejtorit të kabinetit të kryeministrit, shefit të protokollit dhe zëdhënësit të kryeministrit, u caktohet automjet dhe shofer në dispozicion të përhershëm me shpenzimet e kryeministrisë", thuhet në pikën 2 të këtij drafti. Ndërkohë, sipas kësaj skeme do të përfshihen edhe kontratat leasing (marrja me qira) si dhe përdorimi i makinave personale për shërbime pune, kundrejt një kompensimi financiar. Kështu, anëtarët e kabinetit të kryeministrit dhe zv.kryeministrit, drejtorëve të përgjithshëm, drejtorëve të departamenteve dhe drejtorëve të drejtorive, të cilët paraqesin në institucion një kontratë leasing me një institucion financiar, u përballohen shpenzimet e transportit me një fond të përcaktuar dhe që varion nga 78 mijë lekë në muaj për këshilltarët e kryeministrit deri në 50 mijë lekë në muaj për drejtorët e drejtorive në kryeministri. Ndërkohë që këto kategori funksionarësh, të cilët përdorin automjetet personale për qëllime pune do të kenë një kompensim financiar që varion nga 35 mijë lekë në muaj për këshilltarët e kryeministrit deri në 10 mijë lekë në muaj për drejtorët e drejtorive në kryeministri. Përsa i përket kontratave leasing, kryeministria do të nënshkruajë një marrëveshje kuadër me një nga institucionet financiare, që ofron shërbimin leasing për automjetet. "Në marrëveshje përcaktohen standardi i automjeteve, që përdoren për funksionarët, lehtësitë e procedurave përkatëse administrative, norma e interesit dhe kushte të tjera të kontratës së leasing-ut", thuhet më tej në draft.
Kompensimi për zyrtarët që përdorin makinat personale
Këshilltar i kryeministrit 35.000 lekë
Drejtor i kabinetit të
zv.kryeministrit, këshilltar i
zv.kryeministrit, ndihmës i
kryeministrit, drejtor
departamenti dhe drejtor i
përgjithshëm në Kryeministri 35.000 lekë
Drejtor drejtorie në
Kryeministri 10.000 lekë
Kompensimi për zyrtarët që kanë marrëveshje leasing
Kategoritë e nëpunësve Kompensimi
financiar mujor
Këshilltar i kryeministrit,
Drejtor i kabinetit të
zv.kryeministrit 78.000 lekë
Këshilltar i zv.kryeministrit,
ndihmës i kryeministrit, drejtor
i departamentit dhe drejtor i
përgjithshëm dhe drejtor
njësie në Kryeministri 74.000 lekë
Drejtori drejtorie në
Kryeministri 50.000 lekë