E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vendimi i Hagës, nuk ka ndikim ligjor për Kosovën”

 

Aristir Lumezi

Vendimi i Gjykatës së Hagës për kreun e Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, nuk e zhbën pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, i vetmi dëm që mund të ketë është ndikimi te shtetet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Haxhinasto vlerëson vendimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë për njohjen e pavarësisë, duke i cilësuar si me mjaft vlerë për konturimin e shtetit të ri. Haxhinasto, dikur i ngarkuari me punë në Beograd, flet dhe për tratativat e zhvilluara mes dy kryeministrave Meta dhe Xhinxhiç për Kosovën.
Mali i Zi dhe Maqedonia kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Cila është domethënia e kësaj ngjarjeje?
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi dhe Republika e Maqedonisë mendoj se ka qenë ngjarja më e rëndësishme, me peshë të madhe ndërkombëtare, pas njohjes nga SHBA dhe vendet kryesore të BE-së. Njohja nga dy vende fqinje të Kosovës e sjell atë shumë afër plotësimit të perimetrit territorial të njohur, sigurisht, duke lënë mënjanë Serbinë. E një rëndësie të jashtëzakonshme është domethënia e një njohje të tillë në aspektin politik, pra pranimi i një shteti të ri të pavarur, pavarësisht kundërshtimit të fqinjit tjetër, Serbisë, me të cilin të dy këto vende kanë lidhje historike e tradicionale shumë më të hershme e të qëndrueshme me Kosovën. Kjo, mendoj unë, vjen si pasojë e njohjes nga këto dy shtete fqinje të realiteteve që ekzistojnë në Kosovë e rajon, të përqafimit të trendeve integruese euro-atlantike ku ka hyrë rajoni, të vlerësimit të rolit tepër konstruktiv e progresiv që luajnë shqiptarët në gjithë shtetet ku jetojnë, por edhe të kuptimit se pavarësia e Kosovës është zgjidhja e vetme që sjell paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të rajonit.
Kjo ngjarje është e rëndësishme edhe për kohën kur u realizua: në momentet që Asambleja e Kombeve të Bashkuara kishte miratuar Rezolutën për t'i kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare shprehjen e një opinioni këshillimor për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Të paktën në rrafshin rajonal, është në aspektin e perceptimit publik që mund të ketë shkaktuar miratimi i kësaj rezolute, njohja e pavarësisë nga Mali i Zi dhe Republika e Maqedonisë, ka një efekt tejet pozitiv dhe e superon çdo dyshim të krijuar.
Rezoluta për të kërkuar një opinion këshillimor të Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për legjitimitetin e Pavarësisë së Kosovës, çfarë implikimesh mund të ketë?
Në aspektin e të drejtës ndërkombëtare, cilido të jetë opinioni që do të shprehë Gjykata Ndërkombëtare, ai nuk ka forcë ligjore për t'u zbatuar dhe nuk mund të ndikojë në asnjë rast në pavarësinë e Kosovës, që është një ngjarje e pakthyeshme. Ai mbetet një opinion. Por, natyrisht, ai është opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare dhe ka një peshë të caktuar, të paktën në kohën e vendimmarrjen e shteteve të reja që po planifikojnë njohjen e Kosovës. Në fakt, ajo që unë uroj dhe pres është që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të jetë në favor të legjitimitet të pavarësisë së Kosovës dhe kjo të shënojë edhe një pikë kthese në sjelljen shtetërore të Serbisë, duke e parë Kosovën si një fqinj në rrugën e integrimit evropian dhe jo si një vatër potenciale konflikti. Këtë e bazoj në faktin se gjithë procesi deri në pavarësimin e  Kosovës është udhëhequr dhe ka qenë në përputhje të plotë me frymën e ligjshmërisë ndërkombëtare, me të drejtën e popujve për vetëvendosje, një nga parimet më themelore që kanë rregulluar marrëdhëniet ndërkombëtare në shekullin e XX e më pas, por edhe me konceptin e ri rregullator të këtyre marrëdhënieve, sipas të cilit të drejtat e njeriut, shkelja e tyre, genocidi, nuk janë më çështje të brendshme të asnjërit vend, por janë një çështje ndërkombëtare e rëndësisë së dorës së parë. Kjo është fryma e axhendës së mileniumit të ri, kjo është fryma mbi të cilën funksionon OKB-ja, frymë e cila mendoj se do të udhëheqë edhe opinionin konsultativ të Gjykatës Ndërkombëtare për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.
Ahtisaari mori çmimin Nobel për paqen. Si do të vlerësoni zbatimin e paketës së tij për Kosovën deri më sot?
Unë shfrytëzoj këtë rast për të shprehur vlerësimin maksimal për zotin Ahtisaari, për këtë çmim prestigjioz, këtë vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndërkombëtar në shërbim të paqes, që u kurorëzua me planin e tij për Kosovën. Unë jam i bindur se ky çmim është gjithashtu një vlerësim pikërisht për planin për Kosovën, si një plan që ka në themel filozofinë e integrimit evropian, të bashkëjetesës në një shoqëri multietnike. Dhe për më tepër, si plani që do të konsolidonte një paqe të qëndrueshme, dhe do t'i hapte rrugë bashkëpunimit dhe zhvillimit. Përsa i përket zbatimit të kësaj pakete, mendoj se ka shumë për të bërë akoma. Ajo që nuk kam parë akoma është një integrim më i madh i komunitetit serb në jetën ekonomike e politike të Kosovës, dhe jo funksionimi i tyre në një pushtet paralel; dhe së dyti, një angazhim më të madh nga Bashkimi Evropian nëpërmjet misionit të tij EULEX, si në drejtim të realizimit praktik të të gjithë elementëve shtetformues dhe pavarësisë së mbikëqyrur, ashtu edhe të akselerimit të procesit integrues në BE të Kosovës. Pasi BE-ja, Serbisë i ka kushtuar një vëmendje të vazhdueshme dhe të privilegjuar në këtë proces. Natyrshëm që këto mangësi në realizimin e planit, nuk janë probleme të vetë planit, por, para së gjithash, të gatishmërisë së Serbisë për të pranuar realitetin e ri në Kosovë dhe për të qenë një partner në vend të një kundërshtari, pasi në fund të fundit, ata që përfitojnë të parët nga ky partneritet janë qytetarët serbë në Kosovë.
Si do ta gjykoni veprimtarinë e dy palëve të përfshira, shqiptarët e Kosovës dhe serbët?
Mendoj se të dyja palët kanë shumë për të bërë në mënyrë që vendet respektive, por edhe rajoni ynë të mos ketë ngërçe të tjera që e pengojnë atë në rrugën për në Evropë. Serbia duhet të kuptojë se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe se konsumi i energjive për të prishur këtë status është një shpenzim krejtësisht i kotë, por me kosto në rrugën e integrimit të saj në BE. Në Beograd ka shumë burra e gra të mençur që e pranojnë këtë, kanë guximin ta thonë edhe publikisht dhe për më tepër, ta adoptojnë në politikën që ndjekin ndaj Kosovës. Është fakt që sot në pushtet në Beograd janë ata që adoptuan pozicionin e moderuar ndaj Kosovës dhe jo ata të qëndrimeve radikale. Edhe qytetarët e Serbisë kanë një rënie të interesit për Kosovën dhe nuk shpresojnë se ajo mund të kthehet me Serbinë. Pra, Kosova po del gradualisht nga axhenda e politikës së brendshme serbe. Ndërsa për palën kosovare do të thosha se nuk ka më vend të ketë as paragjykimin më të vogël për të kontribuar në krijimin e besimit midis tyre dhe serbëve, pa pasur frikë as nga diskriminimi pozitiv ndaj tyre. Serbët do të jenë pjesë e shoqërisë multietnike kosovare. Serbia do të jetë gjithnjë një fqinje e Kosovës. Kështu që sa më i shpejtë të jetë adoptimi i filozofisë së bashkëjetesës nga të dyja palët në Kosovë e në Serbi, aq më e shpejtë do të jetë koha kur integrimi i evropian i këtyre dy shteteve do të fashiste një problematikë që sot duket tepër e vështirë.
Ju thoni se edhe në Beograd mund të ketë një gatishmëri për të adoptuar një qëndrim të ri për Kosovën. Ju keni qenë i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë kur u rivendosën marrëdhëniet me Federatën Jugosllave në 2001-shin. Në atë kohë kryeministër ishte Zoran Xhinxhiç. Ç'mund të kujtoni nga ajo kohë?
Gatishmëria për të gjetur zgjidhje kostruktive, përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës, nuk ka qenë tabu midis politikanëve të moderuar serbë. Kështu, në një takim të realizuar në maj të vitit 2002 në Beograd, midis Kryeministrit të atëhershëm Xhinxhiç dhe Meta, u ra dakord që të vendoseshin kontakte me udhëheqësit e atëhershëm kosovarë, pikërisht për të vendosur një klimë besimi të përbashkët dhe për të diskutuar të gjitha zgjidhjet e mundshme me statusin e Kosovës, natyrisht pa përjashtuar pavarësinë. Me kërkesën e Metës, Xhinxhiç u shpreh edhe publikisht se ishte gati të takonte edhe Hashim Thaçin, ndonëse në atë kohë në Serbi, Thaçi trajtohej si një kriminel lufte. Kjo gatishmëri e Xhinxhiç gjeti refleksion edhe tek disa drejtues të tjerë të lartë serbë. Zv/kryeministri Labus në atë kohë deklaronte se duhej adoptuar një logjikë ekonomike për Kosovën, nëse për Serbinë, Kosova ishte një barrë shumë e rëndë në rrugën e saj integruese. E vërteta është se në atë kohë arritëm të zhvillojmë takime midis përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë, pikërisht në funksion të këtij qëllimi, por asgjë nuk u bë publike. Procesi i këtyre kontakteve u ndërpre me vrasjen e kryeministrit Xhinxhiç dhe askush tjetër pas tij nuk pati as vizionin as kurajon për ta vazhduar në këtë drejtim. Kohë më pas, ish-zëvendësi i Xhinxhiç, Ceda Jovanoviq, si kryetar i një partie politike, adoptoi një qëndrim për Kosovën, duke kërkuar hapur pavarësinë e saj. Dhe po flasim për vitet 2002-2003, dy vite përpara se të fillonte procesi i drejtuar nga kryenegociatori Ahtisaari, në nëntor të vitit 2005.
Cili ishte impakti i qëndrimeve të tilla në procesin e pavarësisë së Kosovës?
Mund të them se ishte vendosur një urë besimi midis kryeministrit Xhinxhiç dhe kryeministrit të atëhershëm Meta, gjë që kishte të bënte me kuptimin se të dy kishin një vizion integrues e evropian në marrëdhëniet midis vendeve të rajonit dhe kështu edhe në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Si një veprim i vullnetit të mirë p.sh., Xhinxhiç iu përgjigj një kërkese të Metës për lirimin e disa të burgosurve politikë kosovarë, që mbaheshin në burgjet e Serbisë. Ndërkohë që Meta, si kryeministër, kishte paraqitur orientimin në politikën rajonale se marrëdhëniet më të mira të Shqipërisë me Serbinë ishin boshti i stabilitetit në rajon, dhe mund të krijonin klimën e përshtatshme për pavarësimin e Kosovës. Si pasojë, në atë periudhë, u realizua një volum i jashtëzakonshëm pune për të ringritur kuadrin ligjor të bashkëpunimit midis dy vendeve, në fushën e ekonomisë, tregtisë, të shëndetësisë, ujërave, etj. Më duhet të theksoj se në prill të vitit 2004, Ilir Meta u ftua si anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Ballkanit të drejtuar nga ish-kryeministri italian Amato, që do të përgatiste një raport për perspektivën e zgjidhjes së problemeve të Ballkanit. Raporti i paraqitur në pranverën e vitit 2005 kërkonte pavarësimin e Kosovës, nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, duke garantuar kështu edhe një proces të shpejtë të integrimit evropian të rajonit. Një nga hartuesit e nënshkruesit e këtij raporti ishte edhe ish-ministri i Jashtëm i qeverisë Xhinxhiç, Goran Svilanoviç, të cilin disa radikalë në Serbi e quajtën tradhtar. E rëndësishme është të theksohet se fryma e këtij raporti dhe rekomandimi i tij për përcaktimin e statusit të Kosovës pati një referencë të fortë edhe në modelin e planit Ahtisaari për pavarësinë e Kosovës.
Unë shpreh kënaqësinë e veçantë që zoti Ahtisaari ka marrë edhe vlerësimin e lartë Nobel për kontributin e tij ndërkombëtar, dhe sidomos për hartimin e këtij plani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›