E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri pranon fajet: Gola të evitueshëm

 

Jetmir Halilaj

Ndeshja kundër Hungarisë nuk ka qenë një ndër më të mirat për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Debatik Curri, i cili tashmë është shndërruar në qendërmbrojtës kur luan me fanellën kuqezi. Te rasti i golit të dytë, i shënuar nga Jushaz në minutën e 81-të të takimit, padyshim që një përgjegjësi të madhe kishte edhe ai. “Në fakt ishte një pasim i lehtë dhe pa shumë pretendime, – ka pohuar Curri për ‘Panorama’. – U përpoqa që ta mbuloja kundërshtarin aq sa munda, por gjërat nuk shkuan mirë dhe padyshim, tani që e shoh më me qetësi atë moment, mendoj se mund të kisha bërë diçka më shumë. Mirëpo, ato janë gjëra që ndodhin brenda vetëm pak sekondash. Me këtë nuk është se dua të justifikoj veten, pasi të gjithë kemi përgjegjësi për ata gola të pësuar, por unë mendoj se erdhën edhe si rrjedhojë e keqorganizimit të gjithë ekipit në fragmente të caktuara të lojës. Megjithatë, nuk mund ta mohoj se mund të kishim bërë diçka më mirë, sidomos në rastin e golit të dytë”, ka thënë 25-vjeçari, i cili në pjesën e parë tregoi qëndrueshmëri të lartë dhe maturi në veprimet e tij. Curri ka shprehur keqardhje për humbjen e pësuar të mërkurën në mbrëmje dhe është i bindur se rezultati më i drejtë do të kishte qenë barazimi. “Kur të kthen shpinën fati, është vështirë të fitosh. Ne luajtëm më mirë pjesën e parë, madje shumë më mirë se ata dhe nëse do të kishim shënuar, atëherë jam i bindur se nuk do të dilnim pa pikë nga ajo ndeshje. Në 45 minutëshin e dytë, skuadra ndryshoi krejtësisht dhe nuk bëmë atë që duhej. Pas golit të parë e patëm të vështirë të reagonim dhe gjithçka u komplikua”. Pas dy ditësh kuqezinjtë do të ndeshen me Portugalinë, që megjithëse nuk ka bërë startin që pritej, mbetet favoritja kryesore për ta përfunduar edicionin e para në grupin 1. “Ndeshje shumë e vështirë, por gjithsesi nuk i kemi humbur shpresat, – thekson mesfushori. – Në letër ata janë superfavoritë, por ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën. Shpresoj shumë që të na nënvlerësojnë, sepse ky do të ishte një plus i madh për ne. Nuk di ç’të them më tepër. Nëse arrijmë të marrim një pikë atje, padyshim që do të mund të korrigjonim humbjen ndaj Hungarisë”.

Media hungareze kritikon teknikun e kuqezinjve

Media hungareze ka ngritur në qiellin e shtatë trajnerin e saj Ervin Kuman, duke e cilësuar atë si protagonistin kryesor të fitores ndaj Shqipërisë të mërkurën në mbrëmje. Madje, gazetat hungareze kanë qenë tejet kritike ndaj trajnerit të Shqipërisë, Ari Han, të cilin nuk kanë ngurruar ta quajnë edhe arrogant. “Kuman, leksion arrogantit Han”, ishte titulli i artikullit kryesor të sportives “Nepsava”. Në artikull citoheshin deklaratat e Hanit, i cili para ndeshjes kishte thënë: “Ju (hungarezët) më thoni se jeni favoritë, por mos harroni se ne jemi në vend të parë, ndërsa ju në vend të parafundit”. Më tej, media hungareze ka vlerësuar edhe apelin që i kishte bërë tekniku holandez lojtarëve në dhomat e zhveshjes. “Më tregoni se nuk i meritoni të gjitha ato kritika që keni marrë deri tani. Tregojuni atyre miliona fansave se mund të bëni më shumë se kaq, sepse praktikisht në pjesën e parë nuk keni bërë asgjë. Ju lutem me tregoni se ju dini të bëni diçka më shumë se kaq”, u ka thënë Kuman lojtarëve të tij në dhomat e zhveshjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›