Kromi i veriut do jepet me 1 euro
Fabiola Çela
Tre minierat më të mëdha të vendit do të jepen me koncesion një euro. Qeveria ka hapur dritën jeshile për dhënien me koncesion të minierës së kromit Kalimash, fabrikën e pasurimit Kalimash, minierën e kromit Vlahnë dhe fabrikën e pasurimit të bakrit Golaj. Dhënia me koncesion të këtyre minierave do të kryhet përmes një tenderi të hapur ndërkombëtar. Kompanitë që do të marrin pjesë në këtë tender duhet të kenë eksperiencë në fushën e minierave.
Minierat
Njësia e Albkromit Kalimash përfshin pesë vendburime nëntokësore dhe ka një kapacitet prodhues prej 150 mijë tonë në vit. Të gjitha minierat lidhen me punime nëntokësore me galerinë kryesore, e cila vetë lidhet me fabrikën e pasurimit. Në këtë njësi përfshihen edhe vendburimi i kromit Vlahna dhe ai i Perollajt, të dy këto në zonën e Hasit. Në vendburimin e Kalimashit aktiviteti ka nisur në vitet 1930-1940 nga shoqëri të huaja, të cilat kanë shfrytëzuar mineral-kromin në sipërfaqe. Ndërkohë prodhimi në këtë minierë ka nisur në vitin 1978 ndërsa koncentrati i kromit në vitin 1980. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtyre viteve janë prodhuar rreth 2.2 milionë ton mineral dhe rreth 460 mijë tonë koncentrat. Prodhimi në këtë minierë u ndërpre në vitin 1999 si rezultat i vështirësive financiare, mungesës së tregut, kostos së lartë dhe menaxhimit joefektiv. Aktualisht punimet e hapjes së këtij vendburimi janë të mbyllura. Rifillimi i prodhimit kërkon investime të konsiderueshme në rivlerësimin e rezervave, hapjen dhe aktivizimin e minierës, aktivizimin dhe përmirësime teknologjike në fabrikën e pasurimit dhe për të garantuar një rritje të vlerës së produkteve të kromit kërkohet trajtimi i koncentrateve deri në prodhim ferro-kromi. Ndërsa në zonën e Vlahnës aktiviteti i kërkim-zbulimit është bërë nga fundi i viteve 1970 e fillimi i viteve '80, ndërsa punimet minerale nëntokësore të minierave Vlahnë dhe Qafë-Përrollaj kanë nisur nga mesi i viteve '80. Por pas vitit 1992 për shkak të rënies së ndjeshme të kërkesave në tregun ndërkombëtar miniera e kromit Vlahnë ka ndërprerë prodhimin e saj. Por sipas ekspertëve për të siguruar një përpunim efektiv afër mineraleve të zonës së Vlahnës, ekziston mundësia e adaptimit të fabrikës së pasurimit të bakrit në Golaj në pasurimin e kromit. Pikërisht kjo bën që edhe fabrika e Golajt të përfshihet në listën e objekteve që do të jepen me koncesion 1 euro. Ekspertët kanë theksuar se nëse këto objekteve jepen me koncesion si një pako e tërë, krijon më shumë mundësi për të patur oferta nga kompani minerare që do të garantojnë nxjerrjen dhe përpunimin total të mineralit.
minierat
Miniera e kromit Kalimash, fabrika e pasurimit Kalimash
• 7.05 km2 sipërfaqja totale e fushës minerare
• 150.000 tonë në vit kapaciteti prodhues
• 1930-1940 nisi aktivitetin vendburimi i Kalimashit
• 1978 nisi prodhimi në minierën e kromit
• 1980 nisi prodhimi i koncentratit
• 2.2 milionë ton mineral janë prodhuar
• 460 mijë ton koncentrat janë prodhuar
• 1999 u ndërpre prodhimi
Miniera e kromit Vlahnë
• 1.92 km2 sipërfaqja totale e fushës minerare të trupave xeheror
• 1980 nisën punimet në minierën nëntokësore
• 1992 u ndërpre prodhimi
• 32 mijë ton mineral kromi janë prodhuar nga miniera
• 70 mijë ton mineral kromi në vit është kapaciteti i projektuar
Fabrika e pasurimit të bakrit Golaj
• 0.0615 km2 sipërfaqja e pasurimit të bakrit