Sherr në Gjirokastër,djali i Enverit përzë nga shtëpia Hysni Milloshin
GJIROKASTER / PIRO NASE
Ilir Hoxha ndalon komunistët të hyjnë në shtëpinë e lindjes së Enverit, në lagjen "Palorto" të Gjirokastrës. Festimet për 100-vjetorin e lindjes së ish-diktatorit kanë bërë të njohura dhe fraksionet mes simpatizantëve të të njëjtës figurë. Hysni Milloshi, i cili drejtonte ceremoninë e djeshme në qytetin e gurtë pohoi se "Ilir Hoxha na ndaloi të hynim, pasi ai është i PPSH-së". Disa dhjetëra persona janë mbledhur dje, 4 ditë para kremtimit të 100-vjetorit. Komunistët kanë kërkuar referendum kombëtar për rivlerësimin e figurës së ish-diktatorit Hoxha. Kryetari i Partisë Komuniste shqiptare, Hysni Milloshi, ka deklaruar nga qyteti i Gjirokastrës se “tashmë ka ardhur koha të organizohet një referendum kombëtar për të vlerësuar figurën dhe veprën e udhëheqësit të madh shqiptar, Enver Hoxha”. Ky i fundit sipas Milloshit, “ka qenë i vetmi udhëheqës shqiptar që nuk ka bërë kompromise dhe pazare politike në kurriz të kauzës kombëtare siç mund të bëhen nga politikanët e sotëm të shitur tek perëndimi”. Për komunistët, "mjaft baltë është hedhur mbi udhëheqësin e shqiptarëve, por ata që kanë hedhur baltë më parë kanë filluar të reflektojnë, duke u gjunjëzuar te parimet e vërteta të mbrojtjes së atdheut, e cila është detyra e çdo shtetasi shqiptar karshi rrezikut që i kanoset nga vendet armike të kombit".
Ceremonitë festive për nder të figurës së ish-udhëheqësit komunist, kanë filluar qysh në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Dhjetëra vetë, të rinj e të vjetër, me flamuj të kuq dhe portrete të ish-diktatorit, janë grumbulluar në vendin ku Enver Hoxha zhvilloi mitingun e tij të fundit në qytetin e lindjes, në tetor të 1978, pikërisht në sheshin "Çerçiz Topulli". Altoparlantët e mëdhenj të instaluar në kënde të sheshit përcillnin këngë të tilla si "Enver Hoxha mprehu shpatën", "Tungjatjeta", "Në mos keni armë gjeni, ja rrëmbeni atij qeni", "Ligjëro udhëheqësi ynë" etj. Pas fjalimeve përshëndetëse, grumbulli i simpatizantëve komunistë i kryesuar nga Milloshi, ka vendosur buqeta me lule në vendin ku qëndronte dikur monumenti i Hoxhës, i shkatërruar në korrik të 1991. Më pas kanë shkuar në shtëpinë e lindjes së Enver Hoxhës në lagjen "Palorto", ku janë mjaftuar ta vrojtojnë nga jashtë sepse siç thanë vetë tubuesit, nuk është lejuar hyrja e tyre brenda në shtëpi nga ana e njërit prej djemve të Enver Hoxhës me pretendimin se ai i përket PPSH, një prej anëtarëve të të cilës është vetë Ilir Hoxha. Në fund të veprimtarive të sotme, simpatizantët e Enver Hoxhës kanë vizituar një ekspozitë fotografike të periudhave të ndryshme të ish-diktatorit komunist shqiptar.
Milloshi dënon Kserën
Në prani të dhjetëra simpatizantëve të ardhur nga i gjithë vendi, lideri i PKSH-së ka shfrytëzuar dje rastin për t'iu kundërpërgjigjur reagimit të prefektit të Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, duke e cilësuar atë si një tradhtar të ideve komuniste. "Dua të deklaroj nga qyteti i vendlindjes së udhëheqësit tonë të madh Enver Hoxha, se prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, ka frikë nga parullat proletariate, pasi ai është një tradhtar i ideve komuniste", ka deklaruar Milloshi duke u shoqëruar nga brohoritjet e shumta pas çdo fraze të mbaruar nga ai.