E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet përsëri çmimi i naftës në bursa

 

Çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar sërish ulje. Në tregjet e huaja një fuçi naftë është kuotuar me 77.7 dollarë, duke arritur kështu nivelin më të ulët të këtij viti. Por në tregun vendas një rënie e tillë nuk është reflektuar ende. Kjo pasi gjatë javës së fundit çmimet në pikat e tregtimit të karburanteve në Tiranë kanë qëndruar në të njëjtat kuota. Në tregun vendas një litër naftë shitet mesatarisht me 145 lekë, 1 litër benzinë me 147 lekë, ndërsa 1 litër euro diezel me 152 lekë. Sipas tregtarëve të karburanteve, dy janë faktorët kryesorë që ndikojnë në ndryshimin e çmimit. I pari ka të bëjë me tregjet ndërkombëtare, ndërsa i dyti me nivelin e taksave. Por të dhënat kanë tregtuar se sa herë që çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare pëson rritje, ky ndryshim çmimi reflektohet menjëherë në tregun vendas, por e kundërta ndodh kur çmimi i arit të zi ulet. Në këtë rast tregtarët hezitojnë të ulin çmimin e karburanteve në tregun vendas. Por pavarësisht luhatjeve të çmimit të shitjes së karburanteve, konsumi i tyre nuk ka pësuar rënie. Sipas statistikave zyrtare, në tregun vendas rreth 120 shoqëri zotërojnë lejen e tregtimit me shumicë të naftës dhe nënprodukteve të saj. Ndërkohë ka gati 870 pika të shitjes me pakicë të karburanteve dhe 110 pika të tregtimit me pakicë të gazit të lëngshëm GNL. Në Shqipëri mbi 85 e kërkesës së vendit karburant plotësohet nga importi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›