BB: Pa kthim pronash, nuk ka treg toke
Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Camile Naomah ka sqaruar projektin për tokën
"Duhet një konsensus politik, për të arritur që të ketë një proces të drejtë të kthimit të pronave"
Projekti do të mbështesë si fillim regjistrimin e 500 mijë pronave, të cilat përbëjnë pak më shumë se gjysmën e pronave të paregjistruara. Ky proces regjistrimi është bërë përgjatë dekadës së fundit, pra, përvoja në vend ekziston. Është pra edhe çështje kohe, personeli dhe burimesh, sepse ky proces është mjaft i komplikuar.
Procesi i kthimit të pronave është sigurisht një çështje shumë e rëndësishme për t'u zgjidhur, në mënyrë që të krijohet e forcohet një treg energjik i tokës në Shqipëri. Megjithatë nuk ka standarde ndërkombëtare praktikash për kthimin për të drejtën e pronës, nëse fillimi i këtij procesi për të drejtat e pronës nuk është bërë siç duhet në të shkuarën. Kthimi ose jo, është një çështje sensitive, që duhet të bazohet në dëshirën e njerëzve të atij vendi dhe duhet të shoqërohet me një konsensus të gjerë politik. Kjo është edhe rruga që duhet të ndiqet sipas përfaqësueses të BB, Naomah, për procesin e kthimit të pronave në Shqipëri.
Në kuadër të këtij projekti është dhe komponenti për kompjuterizimin e Zyrave të Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme. Cili mendoni se do të jetë impakti i vendosjes së këtij sistemi?
Në lidhje me informatizimin e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, parashikohet që projekti të (1) reduktojë kohën mesatare të regjistrimit të një transaksioni për pronën, nga 47 ditë që është aktualisht, në vetëm 10 ditë dhe (b) procesi i informatizimit pritet të ndihmojë bashkitë që të evidentojnë të gjitha pronat dhe të rrisin kështu mbledhjen e taksës vjetore mbi pronën, me rreth 10%, duke filluar nga viti i dytë i projektit.
Një komponent tjetër është regjistrimi fillestar i 500 000 titujve të pronësisë në zonat urbane. Cilat janë pengesat që shihni në këtë proces?
Projekti do të mbështesë si fillim regjistrimin e 500 mijë pronave, të cilat përbëjnë pak më shumë se gjysmën e pronave të paregjistruara. Ky proces regjistrimi është bërë përgjatë dekadës së fundit, pra, përvoja në vend ekziston. Është pra edhe çështje kohe, personeli dhe burimesh, sepse ky proces është mjaft i komplikuar. Që të realizohet, ai kërkon një ekip topografësh dhe ekspertësh ligjorë për të përcaktuar kufijtë e pronave sipas dokumenteve, të cilat më vonë afishohen publikisht për komente apo ankime nga publiku. Pra, është një proces që merr kohë. Shpresojmë që ky projekt të kontribuojë në shpejtimin e këtij procesi. Në rast se ka ankesa, çështjet shkojnë në gjykatë. Ka 3064 zona kadastrale në vend dhe 80% e atyre rurale janë përfunduar, ndërsa në zonat urbane nga 131 që janë gjithsej, ky proces ka përfunduar në vetëm 29 zona. Ne synojmë të përfundojmë procesin në rreth 50 prej tyre (zonave).
Mendoni se katër vjet janë të mjaftueshëm për dixhitalizimin e gjithë titujve të pronësisë?
Projekti do të financojë konvertimin e të dhënave, përmirësimin e tyre dhe krijimin e arkivave dixhitale të të dhënave kryesore të pronave. Projekti nuk parashikon dixhitalizimin e të gjitha pronave në katër vjet. Në fazën e parë duhen parë disa aspekte strategjike si p.sh., nëse do të jenë arkiva qendrore apo lokale. Nëse gjërat do ecin shpejt në rishikimin afatmesëm të projektit "Qeveria dhe Banka" mund ta përshpejtojnë procesin e dixhitalizimit. Disa çështje do të trajtohen nga asistenca teknike për automatizimin e regjistrimit, aksesi për publikun, etj.
E njëjta sipërfaqe toke i është kthyer apo shitur pronarëve të ndryshëm nga shteti, në bazë të ligjeve. A mendoni se duhet përmirësuar kuadri ligjor?
Megjithëse kuadri ligjor vazhdon të rishikohet e zhvillohet, çështja e informacionit mbetet kritike. Mungesa e informacionit të qartë, të saktë dhe të aksesueshëm lehtësisht për pronat, bëhet shpesh shkaku kryesor i gabimeve. Përmes këtij projekti, do të mundohemi ta përmirësojmë këtë aspekt përmes dixhitalizimit. Pra, një publik i ndërgjegjësuar për detaje të akteve ligjore dhe si ato aplikohen tek pronat, është një faktor i rëndësishëm në këtë proces.
Cili është mendimi juaj mbi procesin e njohjes dhe kthimin e pronave në Shqipëri?
Procesi i kthimit të pronave është sigurisht një çështje shumë e rëndësishme për t'u zgjidhur, në mënyrë që të krijohet e forcohet një treg energjik i tokës në Shqipëri. Megjithatë, nuk ka standarde ndërkombëtare praktikash për kthimin për të drejtën e pronës, nëse fillimi i këtij procesi për të drejtat e pronës nuk është bërë siç duhet në të shkuarën. Së fundi, kthimi ose jo është një çështje sensitive që duhet të bazohet në dëshirën e njerëzve të atij vendi. Ajo kërkon një proces të nivelit të lartë politik, për të arritur një konsensus politik. Për këtë shkak, Banka përgjithësisht nuk është përfshirë aktivisht në programet e kthimit të pronës nëpër botë dhe nuk është përfshirë as në financimin e projekteve, ku kthimi i pronës ka qenë aktiviteti kryesor i tyre. Megjithatë, ne jemi të gatshëm të këshillojmë mbi legjislacionin dhe praktikat, si dhe të mbështetim sigurimin e instrumenteve që lidhen me forcimin e informacionit që lidhet me këto procese.
Mendoni se ka pasur dhe vazhdon të ketë ndikim negativ në zhvillimin e investimeve në vend, mungesa e njohjes së pronave dhe dhënia jo e drejtë e tyre?
Padyshim që sigurimi i të drejtës për pronën është një element kyç për një mjedis biznesi të shëndoshë sepse ju pakëson investitorëve nivelin e riskut të sipërmarrjes së tyre. Sigurisht që të gjithë investitorët menaxhojnë risqe, si pjesë e procesit të investimit të tyre, por një mjedis biznesi i mirë, i cili mund të pakësojë risqet deri në një nivel të caktuar, është mjaft i rëndësishëm.