E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Abuzimi në rritje po dëmton biznesin

"Mbledhja e sforcuar e tatimeve, është një nga shkaqet kryesore të korrupsionit dhe informalitetit"
Përgjysmimi i disa tatimeve rrit riskun e mosrealizimit të të ardhurave në buxhet dhe qeveria nuk mund ta pranojë këtë sfidë në një vit paraelektoral. Në këto kushte, një masë e tillë shton presionin për një abuzivitet në rritje. Parapagesat abuzive për realizim plani, në disa raste me kompromise telefonash, e fusin në një borxh korruptiv administratën në periudhat e ardhshme.
Kjo vjen edhe për shkakun që rreth 70 % të përgjysmimit të tatim-fitimit mund ta përfitojnë 10-15 kompani të mëdha, ndërsa 90% e kompanive do të paguajnë tërë rritjen abuzive. Parapagimi i tatim-fitimit është praktikë që përdoret edhe në vende të tjera, por pranohet si parapagim pjesa e vetëdeklaruar e biznesit, ose e negociuar me argumente midis tyre, i cili nxitet të bëjë një deklarim sa më realist.
Rritja e abuzivitetit ndaj biznesit nga ana e Administratës Tatimore ka qenë një fenomen prezent gjatë vitit 2007, duke përkeqësuar klimën e biznesit në vend. Masat represive të ndërmarra nga ana e tatimorëve ndaj sipërmarrjes janë shtuar gjatë javëve të para të këtij muaji, duke synuar me çdo kusht realizimin e planeve të vendosura nga qeveria. Sipas deputetit të Partisë Socialiste, Arben Malaj, një situatë e tillë vjen për shkak të një sërë vendimesh të gabuara në politikën fiskale dhe emërimeve pa zbatuar kriteret profesionale dhe ligjore në administratën tatimore. "Me një administratë gjithnjë e më pak profesionale dhe gjithnjë e më shumë partiake, abuzimi nuk do të rishpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme, por në vazhdimësi do të tentojë të mos atakohen kompanitë me suport politik dhe kompanitë që japin dhurata korruptive në drejtim të administratës fiskale",- ka bërë të ditur Malaj. Në këtë situatë të përkeqësimit të klimës së biznesit në vend, sipas deputetit Malaj, një ndikim negativ ka pasur edhe vendimi i pastudiuar për uljen e tatimeve, në një kohë që një masë e tillë rrit riskun e rënies së të ardhurave në buxhet. "Përgjysmimi i disa tatimeve rrit riskun e mosrealizimit të të ardhurave në buxhet dhe qeveria nuk mund ta pranojë këtë sfidë në një vit paraelektoral. Në këto kushte, një masë e tillë shton presionin për një abuzivitet në rritje",- tha Malaj. Një nga veprimet e fundit abuzive që është ndërmarrë ndaj një sërë biznesesh, është mbledhja e tatimeve me forcë nga ana Administratës Tatimore. Në një sërë rastesh, një praktikë e tillë është edhe antiligjore. "Masa të tilla represive vijnë edhe për shkakun që rreth 70% të përgjysmimit të tatim-fitimit mund ta përfitojnë 10-15 kompani të mëdha, ndërsa 90% e kompanive do të paguajnë tërë rritjen abuzive. Parapagimi i tatim-fitimit është praktikë që vepron edhe në vende të tjera, por pranohet si parapagim pjesa e vetëdeklaruar e biznesit, ose e negociuar me argumente midis tyre, i cili nxitet të bëjë një deklarim sa më realist. Ky është standardi që parashikon edhe ligji, ndërsa në rast se biznesi ka fshehur tatim-fitimin atëherë ai penalizohet nëse verifikimi i bërë nga ana e organeve tatimore, nxjerr se fitimi është fshehur qëllimisht gjatë periudhave të caktuara. Të vendosësh parapagim apriori dhe në mënyrë abuzive ndaj biznesit dhe pastaj të aplikosh bllokimin e llogarive, kjo është një marrëdhënie abuzive dhe krejtësisht e kundërt me sfidat që ka administrata fiskale", - tha Malaj. Ish-ministri i Financave, nga ana tjetër, bën të ditur se presioni në rritje ndaj administratës tatimore, ka bërë që edhe vendimet e marra të jenë të orientuara për realizimin e planeve dhe jo konform ligjit. Mbledhja e detyrimeve shtetërore në mënyrë të sforcuar, thekson Malaj, është një nga shkaqet kryesore të ekonomisë informale dhe të nivelit të lartë të korrupsionit. Nga ana tjetër, Malaj bën të ditur se, "veprime të tilla nga ana e Administratës Tatimore jo vetëm që dëmtojnë sipërmarrjen dhe ekonominë, por parapagesat abuzive për realizim plani në disa raste me kompromise telefonash e fusin në një borxh korruptiv administratën në periudhat e ardhshme".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›