Xhuveli: Iki nga qeveria, kur të më thotë Berisha
Xhuveli nuk ka përjashtuar idenë për ristrukturimin e së djathtës, duke konsideruar si të nevojshëm vendosjen e ekuilibrave politikë
"Kjo është një e drejtë ekskluzive e Kryeministrit. Me këtë fillon dhe mbaron esenca e përgjigjes"
TIRANË- I atakuar shpeshherë nga aleatët në qeverisje, të cilët jo pak herë kanë kërkuar largimin e tij nga qeveria, Lufter Xhuveli nuk ka ndërmend të tërhiqet nga pozicioni i tij si ministër i Mjedisit. Ai do të vazhdojë të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, për sa kohë që largimi i tij varet nga kryeministri Berisha. Një fakt i tillë konfirmohet nga vetë Xhuveli gjatë një komunikimi që ka pasur dje me median. Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste është i mendimit se, ndryshimet në kabinetin qeveritar janë një e drejtë ekskluzive e kryeministrit Berisha, duke i dhënë kështu një përgjigje aleatëve të tjerë në qeveri, por edhe jashtë saj, që kanë kërkuar largimin e tij. "Kjo çështje është një e drejtë ekskluzive e Kryeministrit. Me këtë fillon dhe mbaron esenca e përgjigjes. Nga ana tjetër, këto nuk janë të reja. Ju e dini që herë pas here janë shtruar çështje të kësaj natyre. Kjo ka të bëjë me perceptimin politik të secilit, me këndvështrimin e tij dhe, natyrisht, secili ka të drejtën e vet të shprehë atë mendim që ka",- është shprehur ministri i Mjedisit dhe kryetari i PAA-së, vetëm pak ditë pasi aleatë si republikani Fatmir Mediu apo kryetari i LDK-së, Nikollë Lesi, kanë kërkuar që mos jetë më pjesë e qeverisë.
Koalicioni
Lufter Xhuveli është ndalur dje edhe në funksionimin e koalicionit të djathtë qeverisës. Ndonëse partia që ai kryeson është një parti e qendrës, ministri Xhuveli nuk e ka përjashtuar idenë e hedhur për ristrukturimin e së djathtës, duke konsideruar si të nevojshëm vendosjen e ekuilibrave politikë. Gjithashtu, kreu i agrarëve vë theksin në nevojën për mbledhjen e tryezës së koalicionit, që, sipas tij, paraprakisht duhet të diskutojë çdo qëndrim të aleatëve, para se ata ta bëjnë publik në media."Mendoj që, gjithashtu, do të ishte shumë mirë që sërish të mblidhej për të diskutuar këto çështje, që janë një temë e ditës. Ne nuk kemi ndonjë kërkesë specifike, e vetmja kërkesë, nëse mund ta shpreh kështu, do të ishte që para se të mediatizohen mendimet, do të ishte më mirë që të thuhen njëherë në tryezën e përbashkët të koalicionit",- u shpreh ministri. Lufter Xhuveli është pjesë e koalicionit qeverisës që prej vitit 2005, atëherë kur PD-ja dhe aleatët tradicionalë të saj fituam zgjedhjet parlamentare. Aktualisht, Partia Agrare Ambientaliste ka dy deputetë, nga katër që kishte në fillim të kësaj legjislature.