Shpifja dhe fyerja, hiqet dënimi për gazetarët
Komisioni i Medias ka miratuar vetëm shfuqizimin e nenit që bën fjalë për dënimin e gazetarëve
TIRANË- Komisioni parlamentar i Medias ka hequr dje dënimin me burg për shpifje dhe fyerje nga ana e gazetarëve. Megjithatë, para se të arrinin në këtë konkluzion, anëtarët e komisionit, si të mazhorancës dhe të opozitës, janë përfshirë në debate lidhur me faktin nëse duhej të hiqej nga Kodi Penal dënimi me burg për rastet e shpifjes për të gjithë shtetasit, apo vetëm për gazetarët. Kryesisht, kjo çështje u shtrua nga deputetët e opozitës, të cilët mbështesin dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, por jo për të gjithë shtetasit e tjerë. Në këtë pikë, deputetët e mazhorancës, si kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka theksuar faktin se, shpifja ka vlerë vetëm kur bëhet publike në institucionet mediatike, ndaj projekti duhej votuar si i tërë, pa bërë ndryshime. Gjithsesi, në fund, komisioni dhe miratimin vetëm për dekriminalizimin e shpifjes në rastin e gazetarëve, duke ia kaluar projektin për diskutim Komisionit të Ligjeve, i cili është dhe komisioni përgjegjës. Ndërkohë, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë tha se, do të ishte antikushtetuese që të hiqej nga Kodi Penal dënimi me burg vetëm për gazetarët dhe të lihej për shtetasit e tjerë. Duke mbrojtur draftin në komision, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë shpjegoi se, meqë liria e shprehjes është një shprehje e respektimit të të drejtave themelore të njeriut, ka dalë si domosdoshmëri rishikimi i Ligjit Penal dhe reformimi i Ligjit Civil për shpifjen. Sipas tij, përveç akteve të tjera ndërkombëtare, është marrë në konsideratë Rezoluta 1377 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku kërkohet shprehimisht që "Shqipëria të shfuqizojë ose të rishikojë substancialisht Ligjin Penal "Për shpifjen" dhe të reformojë edhe Ligjin Civil, në mënyrë që të parandalojë zbatimin abuziv të tyre".