E Diel, 1 Nëntor 2026

Davos: Shqipëria, vend i vështirë për biznes

"Harta e paraqitur në Forumin Ekonomik Botëror e klasifikon Shqipërinë në vendet e fundit në botë për biznes"
Forumi Ekonomik Botëror
"Shqipëria ka mbetur në zonën e kuqe, duke u paraqitur si vend me një klimë të vështirë për të bërë biznes"
Mbrojtja e investitorëve mbetet një nga pikat më të errëta të këtij raporti, ndërsa përsa i përket mbylljes së një biznesi dhe marrjes së licencave, renditemi të fundit në botë. E kundërta ndodh përsa i përket vendeve fqinjë, që janë në procesin e integrimit krah Shqipërisë, si Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia etj.
Biznesi në Shqipëri harxhon një numër më të madh ditësh në zyrat e taksave, se në rajon dhe në botë. E njëjta situatë paraqitet edhe për treguesit e tjerë të këtij studimi, ku del në pah qartas, se burokracia e madhe i sjell humbje të mëdha biznesit.
Shqipëria mbetet në zonën e kuqe, në hartën që do të paraqitet gjatë zhvillimit të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Një vlerësim i tillë, në forumin më të rëndësishëm botëror, është një marketing i keq për të gjithë ato kompani që duan të investojnë në Shqipëri. Harta e Klimës së Biznesit paraqet 178 vende, për të cilët është bërë një skaner i hollësishëm në shumë tregues. Për të studiuar në mënyrë të saktë pozicionin e një vendi, janë marrë 5 tregues kryesorë, që janë "Të bërit biznes", Privatizimet, Infrastruktura Private, Indikatorët Financiarë dhe Vrojtimet e Sipërmarrjes. Në këtë forum paraqiten edhe një sërë treguesish të tjerë që do t'i serviren pjesëmarrësve të nivelit të lartë, që pritet të diskutojnë një sërë temash të rëndësishme gjatë punimeve të tij.
Në dallim nga vendet e tjera të rajonit tonë, që janë në garë me Shqipërinë për t'u futur në BE, vendi ynë paraqitet në pjesën më të madhe të raportit në zonën e kuqe, duke marrë vlerësimin minimal në paraqitjen që i bëhet në këtë forum. Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, do të marrë pjesë edhe kryeministri Sali Berisha. Ky është edhe Samiti më i rëndësishëm Botëror vjetor për Ekonominë. Kryeministri Berisha shkon në Davos me ftesë të Kryetarit të Bordit Ekzekutiv të këtij Forumi, Prof.Klaus Schëab. Në këtë samit ekonomik marrin pjesë presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm nga mbarë bota, drejtorë dhe administratorë të institucioneve më të mëdha financiare, të korporatave të mëdha, mediat kryesore të botës etj. Në këtë samit trajtohen edhe problemet më madhore të politikës botërore në tërësi. Forumi Botëror Ekonomik i Davosit do të zhvillohet nga 23 deri më 27 janar.
Shqipëria, klimë e rënduar biznesi
Treguesi i parë dhe më i rëndësishmi që paraqitet për 178 ekonomi të ndryshme në Forumin Ekonomik Botëror, është ai i "Të bërit Biznes". Të gjitha të dhënat e marra për 178 vendet, janë të raportit më të rëndësishëm të publikuar nga Banka Botërore, "Doing Business". Shqipëria renditet e 136-ta, në listën me 178 vende që është marrë në këtë hartë zhvillimi. Mbrojtja e investitorëve mbetet një nga pikat më të errëta të këtij raporti, ndërsa përsa i përket mbylljes së një biznesi dhe marrjes së licencave, renditemi të fundit në botë. E kundërta ndodh përsa i përket vendeve fqinjë, që janë në procesin e integrimit krah Shqipërisë. Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia etj., paraqiten në një nivel më të lartë, duke u kategorizuar në vende të moderuara përsa i përket klimës së biznesit.
Çfarë thonë sipërmarrësit?
Një vend i rëndësishëm në hartën e zhvillimit që do të paraqitet në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, do të zërë edhe perceptimi i biznesit për zhvillimin ekonomik të vendit. Edhe përsa i përket studimeve të bëra tek biznesi në Shqipëri, rezulton se renditemi ndër vendet me vështirësi të mëdha për investime. Sërish jemi në hartën e kuqe, duke pasur procedurat më të mëdha burokratike, me një mesatare prej 10.4 ditësh në zyrat e tatimeve apo licencave. Kjo vlerë është më shumë se 2 herë më e lartë se ajo që përballet biznesi në rajon (4.8 ditë) dhe më e lartë se mesatarja e të gjitha vendeve, që është 7.3 ditë. Në këtë studim janë përfshirë 70 mijë firma, në 104 vende. Biznesi në Shqipëri harxhon një numër më të madh ditësh në zyrat e taksave, se në rajon dhe në botë. E njëjta situatë paraqitet edhe treguesit e tjerë të këtij studimi, ku del në pah qartas, se burokracia e madhe i sjell humbje të mëdha biznesit.
Indikatorët Financiarë
Sipas të dhënave të hartës së Zhvillimit, ndikatorët financiarë të Shqipërisë mbeten në nivele tepër të ulëta, por të dhënat për këtë studim janë të vitit 2005. Një nga treguesit e përdorur në këtë kolonë është krediti privat ndaj GDP-së, që jepet në nivelin 11.5% nga 72.6% që paraqitet në vende të tjera të Europës.
Privatizimet
Është treguesi i vetëm që paraqitet në hartë me ngjyrë të gjelbër dhe që jep të dhënat për 5 vite dhe këto të dhëna, sipas raportit i përkasin periudhës 2000-2005. Në këtë tregues, të gjithë indikatorët që janë marrë në studim paraqiten në nivele të larta, duke treguar një trend pozitiv
Investimet private
Studimet përfshijnë intervalin 2000-2006 dhe Shqipëria renditet në grupin e vendeve me nivele të larta investimesh dhe projektesh në infrastrukturë. Në këtë tregues janë marrë disa indikatorë, si vlera totale e investimeve/ndaj numrit të popullsisë, si edhe vlera totale e investimeve private. Në krahasim me vendet e tjera këta tregues paraqiten të ngjashëm, ndërsa të gjithë vendet e rajonit tonë janë në zonën e gjelbër, duke treguar për një volum të kënaqshëm investimesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›