Lohan: Liberalizimi i vizave, ka probleme të vogla
Përmes një marrëveshjeje, komuniteti evropian jep për qeverinë shqiptare rreth 50 milionë Euro
TIRANË- Marrëveshja e Lehtësimit të Regjimit të Vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ka nisur të zbatohet që nga 1 Janari i këtij viti dhe problemet e vogla që janë vënë re, do të kapërcehen në të ardhmen. Në këtë përfundim ka arritur dje Ambasadori i Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmuth Lohan, ndërsa është pyetur nga gazetarët shqiptarë se në ç'fazë ndodhet implementimi i kësaj marrëveshjeje. "Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave po zbatohet që nga 1 Janari. Ne mbajmë kontakte shumë të ngushta me zyrat konsullore të ambasadave këtu. Nga informacionet që kam marrë unë tregohet që po zbatohet mirë. Normalisht, ndoshta problemet e vogla që vihen re, do të kapërcehen në të ardhmen e afërt",- është shprehur dje Lohan gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes Financiare mes Shqipërisë dhe Komisioni Evropian, "Instrumenti i Ndihmës së Para Anëtarësimit 2007". Me anë të kësaj marrëveshjeje, komuniteti evropian jep për qeverinë shqiptare rreth 50 milionë Euro, që do të shpenzohen në tri akse kryesore: mbështetje për përmbushjen e kërkesave politike, atyre social-ekonomike dhe standardeve evropiane. "Një pjesë e madhe e këtyre fondeve, rreth 35.5 milionë Euro, do të mbështesin investime në infrastrukturë, ku theksohen ndërtimi i dy Qendrave të reja të Paraburgimit, në Fier dhe në Elbasan. Ky projekt do të financojë rehabilitimin dhe ndërtimin e Sistemeve ekzistuese të Kanalizimeve në qytetin e Shkodrës, ndërtimin e një Sistemi Kanalizimesh të ri dhe Impianti për Trajtimin e Ujërave në qytezën e Velipojës, dhe ndërtimin e një Sistemi Kanalizimesh në qytezën e Shëngjinit dhe në zonën e plazhit në Golem, Durrës",- tha Bregu. Ndërsa Lohan theksoi mbështetjen për asistencën në fushën e Policisë dhe atë të Mjedisit.