Ekonomia amerikane në krizë
FED ul interesin e dollarit me 0.75%, duke e çuar interesin për monedhën e gjelbër në 3.5%
Rezerva Federale Amerikane kreu një lëvizje urgjente, duke njoftuar uljen edhe më tej të normës së interesit për dollarin. Duke kryer një ulje me 0.75%, norma shkon në 3.5%, duke e çuar kështu dollarin drejt një zhvlerësimi të mëtejshëm. Monedha amerikane pritet që të humbasë pikë gjatë ditëve në vazhdim edhe kundrejt Lekut. Kjo lëvizje ishte një përgjigje e Rezervës Federale Amerikane për krizën e bursave ndërkombëtare, të cilat po regjistrojnë ulje të çmimit të aksioneve që prej 24 orësh. Banka Qendrore e SHBA reagoi kështu përballë pritjeve për një regres ekonomik që po parashikohet pas krizës së bursave. Muajt e fundit, normat e interesit janë reduktuar disa herë, duke çuar në uljen historike të monedhës së gjelbër në krahasim me Euron. E njëjta situatë është përjetuar edhe në tregjet e tjera ndërkombëtare. Vlera e aksioneve në tregjet botërore po bie për të dytën ditë rresht sot, mes panikut se ekonomia globale po shkon drejt rënies. Dje në orët e para të ditës, indeksi kryesor në Kinë shënoi rënie prej 5 për qind, dhe në Hong Kong u shënua rënie në të njëjtën vlerë. Indeksi kryesor në Japoni ka shënuar rënie me 4.5 për qind, një rënie e ngjashme me këtë, dje në Japoni u pasua me rënie të mëdha të vlerës së aksioneve në mbarë botën. Në Francë, Gjermani dhe Britani vlera e aksioneve dje ra mes 3 dhe pesë për qind. Ndërsa përsa i përket ekonomisë shqiptare, duket se ndikimet do të jenë tepër të vogla. Madje, nga ana e ekspertëve të ekonomisë bëhet e ditur se vendi mund të përfitojë në këto kohë të vështira për ekonominë botërore.