Pengu në Durrës, lirohen nga burgu dy të akuzuarit
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë pafajësi për Erald Bajramajn, ndërsa Leonard Murataj do të rihetohet
TIRANË- Specialistët e zyrës për "Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë" duket se nuk i kanë bindurdy dëshmitarët kryesorë të çështjes penale kundër të pandehurve Leonard Murataj dhe Erald Bajramaj, për të mos ndryshuar deklarimet e dhëna para prokurorisë. Kjo ka sjellë dje lirimin e dy të akuzuarve për një vrasje dhe një pengmarrje në vitin e mbrapshtë 1997. Me ndryshimin e dëshmive të dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Gjykata e Krimeve të Rënda u detyrua të lirojë nga akuzat të pandehurin Erald Bajrami, duke e shpallur atë të pafajshëm. Ndërsa për shokun e tij, të pandehurin Leonard Murataj, togat e zeza të kësaj gjykate vendosën të pranojnë kërkesën e prokurorisë që të kthehet dosja penale në zyrat e hetimit për disa plotësime shtesë. Sipas vendimit të djeshëm, të marrë menjëherë pas leximit të pretendimeve përfundimtare të mbrojtjes, togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të kryesuara nga gjyqtarja Nertina Kosova vendosën rrëzimin e kërkesës së prokurorisë ndaj të pandehurit Erald Bajrami, për shkak se nuk bazohet në prova.
***
"Pas 36 seancave të hetimit gjyqësor, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk arriti të sjellë prova bindëse për gjykatën ndaj të pandehurve Erald Bajrami dhe Leonard Murataj, për akuzat e "vrasjes me paramendim"; "plagosjes së rëndë me dashje"; "rrëmbimin e personit"; "prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake" të gjitha këto në bashkëpunim. Në mungesë të provave materiale, gjykata nuk është e bindur se dy të pandehurit i kanë kryer këto vepra penale, ndaj edhe vendosëm që Erald Bajrami të deklarohet i pafajshëm, ndërsa për të pandehurin Leonard Murataj të rikthehet dosja pranë prokurorisë për hetime të mëtejshme",-thuhet në vendimin e togave të zeza. Ndërkohë, vetëm dy javë më parë, prokurori i çështjes, në leximin e konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata që i pandehuri Erald Bajrami të deklarohet fajtor për akuzat e ngritura dhe të dënohet me 12 vjet burg. Ndërsa, për të pandehurin Leonard Murataj, prokurori kërkoi nga gjykata tërheqjen e akuzave ndaj këtij të pandehuri, duke tërhequr dosjen për hetime të mëtejshme në prokurori. Shkak për këtë kërkesë të prokurorit të çështjes, është bërë mungesa e provave dhe tërheqja e dëshmisë së dy dëshmitarëve kyç të çështjes. Sipas burimeve, njëri nga këta dëshmitarë ka qenë djali i viktimës së Nuri Ylmiut, njëkohësisht pengu i të pandehurve, Artan Ylmiu dhe një shok i tij me iniciale A.L.
***
Sipas prokurorisë, Leonard Murataj dhe Erald Barjamaj u akuzuan të kenë qenë pjesë e grupit të "bandës" së Marsel Sotirit, i cili kishte aktivitet në qytetin e Durrësit. Në vitin 1998, disa persona të armatosur vrasin të riun me mbiemrin Tabaku. Në këtë vrasje, dy të pandehurit Murataj dhe Bajrami kishin dyshime se kishte marrë pjesë edhe Artan Ylmiu. Për të marrë hak në lidhje me këtë vrasje, ata kanë kërkuar Artan Ilmiun, të cilin e kanë gjetur në qytetin e Durrësit dhe me anë të forcës e kanë marrë peng atë, duke e dërguar në një banesë në Durrës. Artan Ylmiu ka qëndruar peng i dy të pandehurve për një kohë të gjatë. Aty nga fundi i muajit tetor të vitit 1998, babai i tij, Nuri Ylmiu, i shqetësuar për zhdukjen e të birit, ka filluar ta kërkojë. Pasi ka pyetur disa të rinj të qytetit të Durrësit, ai ka mësuar se i biri ishte parë për herë të fundit me të pandehurit Murataj dhe Barjami. Për këtë arsye, ai ka shkuar në afërsi të spitalit civil të Durrësit me biçikletë që të takojë këta persona dhe t'i pyesë në lidhje me fatin e djalit të tij. Sipas akuzës, Nuri Ylmiu është takuar me të pandehurin Leonard Murataj dhe Erald Barjami vetëm një orë pas vrasjes së shokut të tyre, Dritan Sallaku, ku pas një debati ata dyshohej se e kanë qëlluar për vdekje. Pasi i vranë babanë, dy të akuzuarit kanë lënë të lirë pengun Artan Ylmiu. Kjo është historia e servirur nga prokuroria, për të cilën nuk ka prova për ta vërtetuar.