BB: Politika, larg duart nga KESH
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe lëvizja "Mjaft!" organizuan dje një tryezë të rrumbullakët me temë "Shqipëria Flet për Energjinë". Në këtë tryezë, për herë të parë u zhvillua një debat i hapur, i zhveshur nga ngjyrimet politike dhe i orientuar nga konsumatori lidhur me sfidat që duhet të përballet sistemi energjetik shqiptar në prag të privatizimit. Qëllimi i këtij takimi ishte trajtimi i konsumatorit jo thjesht si hallka përfundimtare e zinxhirit, por si qytetar i angazhuar dhe kontribuues me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta në zhvillimin e sektorit energjetik shqiptar. Të pranishëm në takim ishin përfaqësues nga BB, FMN, lëvizja "Mjaft!", shoqata e pensionistëve, shoqata e ndërtuesve, instituti "Agenda", IZOTERM si dhe specialistë e të interesuar të tjerë. Çështjet e evidentuara në debat ishin çmimi i energjisë, sfidat me të cilat duhet të përballet sistemi energjetik shqiptar, rëndësia e implementimit të metodave eficente të përdorimit të energjisë elektrike, si dhe domosdoshmëria e një skeme funksionale subvencionimi të energjisë elektrike për shtresat e varfra. Përfaqësuesi i BB për Shqipërinë, Dimitrios Papthanasiou, tha gjatë diskutimit se një nga sfidat, sipas BB., me të cilat duhet të përballet sektori i energjisë elektrike në Shqipëri, është çështja e çmimit. Papathanasiou tha se "se në botë çmimi i naftës është në rritje dhe ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Asnjë nuk do që të paguajë më tepër, por duhet të kemi parasysh realitetin. Kostoja e energjisë po rritet dhe Shqipëria po përballet me të". Ndërsa kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, tha se "për të luftuar fenomenin social të abuzimit me energjinë duhet angazhimi i të gjitha hallkave përgjegjëse".