Qeveria kërkon borxh nga bankat
Qeveria ka planifikuar fluks të lartë borxhesh në tregun e brendshëm gjatë muajve të verës. Banka e Shqipërisë publikoi dje ankandin për shitje bono thesari me vlerë 19.4 miliardë lekë. Ankandi zhvillohet në fillim të muajit tjetër. Qeveria ka parashikuar që në qershor të marrë 27.6 mld borxh nga publiku, ndërsa në korrik shifra do të arrijë në 55.1 miliardë lekë, përmes emetimit të bonove të thesarit. Dy vitet e fundit po vihet re një rritje e vazhdueshme e interesave për borxhin që qeveria merr nga bankat private në vend. Kjo është shkaktuar pjesërisht nga rritja e normës bazë të interesit. Norma bazë është rritur nga janari i vitit 2007 e deri më sot me 0.75 pikë përqindjeje. Por rritja e interesit të borxhit ka qenë dukshëm më e madhe, gati 1.1 për qind, e cila ka një kosto për qeverinë. Sipas vlerësimeve, gjatë 2008-ës vetëm për shkak të rritjes së interesave qeveria do të paguajë 35 milionë euro më shumë për të shërbyer borxhin e marrë nga bankat.