Basha takohet me Rajs dhe Ban Ki Mun
Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, është takuar me Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Kondoleza Rajs dhe personalitete të larta botërore, gjatë zhvillimit të punimeve të një samiti të rëndësishëm ndërkombëtar që u mbajt në kryeqytetin suedez, Stokholm. Ministri i Jashtëm, Basha, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Irakun, organizuar në Stokholm nga qeveria suedeze dhe të bashkëkryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, si dhe Kryeministri irakian, Nuri Al Mailiki. Sipas Zyrës së Shtypit pranë MPJ-së, rreth 100 delegacione morën pjesë në këtë konferencë, qëllimi i së cilës ishte bashkërendimi i përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për stabilizimin, zhvillimin dhe integrimin e Irakut në ekonominë rajonale dhe globale. Gjatë punimeve të kësaj konference, ministri Basha u takua dhe bisedoi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun; Sekretaren e Shtetit, Kondoleza Rajs; përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e jashtme, Havier Solana; ministrin e Jashtëm britanik, David Miliband; ministrin e Jashtëm italian, Franko Fratini; Kryeministrin suedez, Rijnfeld; ministrin e Jashtëm suedez, Carl Bildt; ndihmës sekretarin për çështjet evropiane në Departamentin e Shtetit, Dan Fried; ministrin e Jashtëm turk, Ali Babaxhan dhe ministrin e Jashtëm finlandez, Aleksander Stub. Anëtarësimi i plotë në NATO, liberalizimi i vizave me BE-në, si dhe zhvillimet në Kosovë pas datës 15 qershor, ishin temat kryesore të takimeve. Bashkëbiseduesit vlerësuan progresin e Shqipërisë në lidhje me reformat në vend, duke e konsideruar ketë një shembull për fqinjët. Ministrat e Jashtëm evropianë shprehën mbështetjen e tyre për procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se Shqipëria po përjeton një transformim me ritme të shpejta dhe se përbën një histori suksesi në Evropën Juglindore.