Deputetët socialistë urojnë festën e Fiter Bajramit
Deputetë të opozitës uruan dje drejtuesit e Komunitetit Mysliman në Shqipërinë dhe gjithë besimtarët me rastin e festës së Fiter Bajramit. Ligjvënësit e Partisë Socialiste u pritën nga drejtues të komunitetit, ku shprehën urimet për paqe dhe tolerancë. Ndërsa kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, shtroi iftar mbrëmjen e së shtunës, ku ishin të ftuar shumë nga personalitetet kryesore. Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festuan dje festën e Bajramit të Madh apo Fiter Bajramit. Festa vjen pas muajit të Ramazanit, një prej pesë shtyllave të islamit, ku besimtarët agjëruan, duke iu përkushtuar më shumë adhurimit dhe devotshmërisë ndaj Krijuesit të tyre, Zotit. Si në të gjithë botën, edhe në Shqipëri besimtarët myslimanë u mblodhën nëpër xhami dhe falën namazin e festës. Në kryeqytet qindra besimtarë u falën në xhaminë e Et‘hem Beut. Pas faljes së namazit të festës, besimtarët shkëmbejnë vizita në familjet e të afërmve dhe miqve për të uruar një vit më të mbarë. Një prej të veçantave të kësaj dite është edhe dhënia e ndihmës në të holla ose ushqime, ose siç njihet në fenë islame ndarja e zekatit, për të varfëritë dhe familjet në nevojë.