E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës-Kukës, kosto u rrit me 85%

Kostoja për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës, ka prekur nivelet e paparashikuara, as nga vetë më optimistët brenda qeverisë. Gazeta zbulon koston për njësi (km), përgatitur nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe e Telekomunikacionit, e cila për 6 muajt e parë të vitit arriti në 1.5 miliardë lekë, ose rreth 85 për qind më shumë se plani. Për Ministrinë e Financave, kostoja në fjalë është tej planit të parashikuar dhe i kërkon Ministrisë së Punëve Publike informacion shtesë për devijimin e shpenzimeve. Vitin e kaluar, për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, qeveria shpenzoi 1 miliard e 415 milionë lekë për kilometër. Këtë vit, kur pritej e kundërta për shkak të uljes së kostos në ndërtim nga kriza, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, raporton se ka shpenzuar plot 1.53 miliardë lekë për kilometër. Ministria e Financave kishte llogaritur kosto për njësi 826 milionë lekë, të mjaftueshme për 2009-n, kur edhe çmimet kishin rënë. Pasi ka mësuar shifrën e lartë, (rreth 680 milionë lekë më shumë nga sa priste), dikasteri i Ridvan Bodes ka kërkuar shpjegime.

Përplasja

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, në paraqitjen e shpenzimeve të bëra gjatë periudhës janar-qershor 2009, ka thënë se për çdo kilometër të rrugës Durrës-Kukës, është shpenzuar 16.4 milionë dollarë. Në dokumentin e shpenzimeve nuk jepeshin arsyet e rritjes së kostos, duke detyruar Ministrinë e Financave t‘i tërhiqte vëmendjen MPPTT-së për më shumë llogari. "Në relacionin e paraqitur nga Ministria e Punëve Publike, nuk janë dhënë shpjegime lidhur me arsyet e tejkalimit të kostos për kilometër rrugë, për këtë program, si dhe për tejkalimin e shpenzimeve", nënvizon Ministria e Financave në dokumentin raport mbi monitorimin e shpenzimeve. Sipas Financave, MPPTT-ja duhet të kishte sjellë një analizë të këtyre devijimeve faktike, krahasuar me planin. Me këtë nivel kostoje, rruga Rrëshen-Kalimash e ka kapërcyer nivelin e 1 miliard dollarëve, fakt i pranuar nga vetë qeveria.

Ecuria

Në pjesën e parë të vitit 2009, MPPTT-ja e realizojë planin e ndërtimit të rrugëve në masën 93 për qind. Bëhet fjalë për standardin e akseve Tip A2, me 4 korsi, që i përkasin kryesisht modelit të rrugës Rrëshen-Kalimash, Kalimash-Kukës, por edhe Plepa (Durrës)-Rrogozhinë. Gjithsej janë ndërtuar rreth 17 kilometra rrugë, me kosto mesatare 1.53 miliardë lekë për km, kundrejt 826 milionë lekë për km planifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›