Miratohet "Buxheti 3", opozita kundër
Parlamenti miraton destinacionin e ri të rreth 200 milionë dollarëve që nuk u realizuan deri në nëntor
Gjatë 11-mujorit të vitit 2007 sipas Ministrisë së Financave realizimi i investimeve është vetëm 46.8%
Pas mbylljes së 11-mujorit dhe mbetjes të rreth 54% të investimeve të parealizuara, Ministria e Financave ka sjellë një buxhet të ri për vitin 2007-të në qeveri, i cili do të kërkojë miratim edhe nga ana e Parlamentit. Gjysma e kësaj shume, rreth 200 milionë dollarë, ka ndryshuar drejtim duke shkuar për borxhet e KESH-it, shpërblime për pensione dhe financime të rrugës Durrës-Kukës. Qeveria ka zgjidhur qesen në dy muajt e fundit të vitit, duke realizuar në letra 57% të investimeve që ishin parashikuar në buxhetin e vitit 2007, shifra të cilat nuk janë realizuar dot për 10 muaj me radhë. Mosrealizimet kanë ardhur në një kohë që buxheti është miratuar që në vitin 2006 dhe ka qenë në dorën e ministrisë për t'u përdorur që më 1 janar 2007. Shifra të tillë mbeten tepër optimiste kur në 11 muaj janë realizuar vetëm 46.8% e investimeve vjetore, referuar të dhënave të Ministrisë së Financave. Sipas deputetit të PS-së, Erion Braçe, një nga faktet më të mëdha të këtij dështimi është ardhja në Parlament për të tretën herë për ndryshim të këtij buxheti. "Ky Akt Normativ që kërkon që të rialokohen rreth 200 milionë dollarë tregon se qeveria jo vetëm që nuk ka realizuar shpenzimet, por edhe të ardhurat",- tha Braçe. Sipas Braçes rreth 40 milionë dollarë që kanë mbetur pa u shpenzuar, kanë qenë të destinuara për ndihmë sociale dhe subvencione për energjinë e pensionistëve. "Një nga faktet që nxjerr në pah dështimin e kësaj qeveria është fakti që kryetari i Bashkisë së Kavajës, në një ditë ka shpenzuar 1.7 milionë dollarë dhe këto i janë dhënë një kompanie",- tha Braçe. Por kryeministri Berisha ka mbrojtur këtë Akt Normativ duke deklaruar se investimet janë realizuar dhe këto 200 milionë dollarë janë nxjerrë nga mirëmenaxhimi i shpenzimeve.
Investimet në 2 muaj
Rreth 57% e investimeve vjetore sipas Ministrisë së Financave janë realizuar në 2 muajt e fundit të vitit, në muajin nëntor dhe atë dhjetor. Bashkë me 38% e fondeve të disbursuara në 10 muajt e parë të vitit 2007, në total shifra shkon në 95%. Vetëm 5% do të jenë mosrealizimet, sipas Financave. Por shifra prej 485 milionë dollarësh të bën të mendosh se si ka mundësi që këto kompani që nuk kishin kapacitete për 10 muaj, tashmë paskan shtuar fuqitë duke tërhequr 57% të investimeve vjetore në një kohë rekord. Plani i realizuar gjatë kësaj periudhe është 1% në ditë ose në vlerë rreth 8 milionë dollarë çdo ditë. Sipas llogarive 60 ditët e fundit të këtij viti kanë qenë me të vërtetë produktive, ndërsa punimet e realizuara të paktën në akset kryesore kanë vonesa të dukshme, të konstatuara edhe nga ana e institucioneve përkatëse.