E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarët e Rrugëve në gjykim të shkurtuar

• TIRANE – Ish-zyrtarët e akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre gjatë zhvillimit të tenderave të rrugëve, në muajin gusht të vitit të kaluar, do të gjykohen me procedurë të shkurtuar.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Martin Deda, shpalli dje vendimin dhe më pas mori në dorëzim provat e paraqitura në gjykatë nga Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Të akuzuarit u arrestuan në shtator të vitit të kaluar, në një operacion të përbashkët të Policisë së Shtetit me njësinë hetimore Task Force. Aksioni u kodua me emrin “Duart e pastra”, dhe arrestoi të dyshuarit. Gjashtë prej tyre akuzohen për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim të detyrës”, ndërkohë që për Nikolin Jakën akuza ka ndryshuar në “ushtrim i ndikimit të paligjshëm”. Nikolin Jaka, ish zv/ministër i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Bashkim Kamberi, ish-shefi i Sektorit Juridik dhe Prokurimeve, Arjan Sheti, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike, Ilirjan Berzani, ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Xhevahir Muçogllava, ish-drejtor i Drejtorisë së Programit dhe Koordinimit, si dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të ofertave, të gjithë në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, si edhe dy biznesmenët Skënder Bokçiu e Isuf Ukperaj, të cilët akuzohen për “korrupsion aktiv të personit që ushtron funksione publike”, do të përballen shumë shpejt me vendimin përfundimtar të Gjykatës së Tiranës, ndërkohë që Alban Qafa dhe Enton Resuli janë lënë të lirë, sepse ndaj tyre nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për akuzat e ngritura. Hetimet ndaj këtij grupi të dyshuarish zgjatën 6 muaj, kohë gjatë të cilës Prokuroria grumbulloi prova dhe fakte të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat e ngritura në adresë të ish-zyrtarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›