E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga shpërndarësve të heroinës

• Arrestohet për shpërndarje heroine në zonën e Kinostudios, i dënuari me 17 vjet burg për grabitje.

Dashamir Biçaku

Bashkë me të dënuarin, policia ndalon kunatin e tij, që dyshohet se kryente rolin e shpërndarësit të lëndëve narkotike. Bajram Gjonçaj, 46 vjeç, banues në lagjen Allias, pranë urës së Babrrusë, është ndaluar nga agjentët e Antidrogës së Tiranës, pasi në banesën e tij është gjetur një sasi prej 30 gramë heroine dhe një pistoletë të kalibrit të vogël, prodhim italian. Më parë, agjentët kishin arrestuar vëllain e gruas së tij, Fatjon Veizin, 30 vjeç, banues në Kinostudio. Pas aksionit, policia vendosi të arrestojë dy personat e dyshuar me akuzat e “shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim” si dhe “armëmbajtjes pa leje”. Agjentët e Antidrogës u kanë bllokuar atyre dhe një sasi dokumentesh që dyshohen të jenë të falsifikuara, të cilat u gjetën gjatë kontrolleve në banesën e Gjonçajt. Operacioni për arrestimin e tyre është kryer në mënyrë të befasishme mesditën e djeshme, kur agjentët e Antidrogës, kanë ndaluar në një kontroll Fatjon Veizin. Gjatë kontrollit fizik, Fatjon Veizit, policia i ka gjetur me vete rreth 5 doza, me peshë përafërsisht 2 gramë heroinë. Lënda narkotike ishte bërë gati për t’iu shitur përdoruesve të zonës së Kinostudios, ndërsa mbajtësi e kishte marrë drogën prej dhëndrit të tij. Ai është kapur pranë një karburanti që ndodhet pranë stacionit të autobusëve. Menjëherë pas ndalimit, blutë kanë kryer dy kontrolle banesash, përkatësisht në atë të Fatjon Veizit dhe në shtëpinë e dhëndrit të tij, Bajram Gjonçaj. Gjatë kontrollit të kryer në banesën e këtij të fundit, agjentët kanë gjetur e kanë bllokuar edhe sasinë tjetër të heroinës. Dy të akuzuarit janë prangosur në flagrancë, me akuzën e shitjes e shpërndarjes së drogës e armëmbajtjes pa leje. Ndërkaq sipas hetuesve, të arrestuarit do të hetohen edhe për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, pasi atyre iu janë gjetur libreza të ndryshme pune e të sigurimeve shoqërore. Këto dyshohen se janë të falsifikuara, apo të marra personave të ndryshëm për t’iu ndërruar më pas të dhënat e tyre për t’i përdorur për qëllime kriminale. Gjatë pyetjes së tyre mbi drogën, ata kanë pretenduar se narkotikun e kishin marrë jashtë Tiranës, por nuk kanë pranuar të japin detaje të tjera.

30 grame
pluhur i bardhë, i dyshuar si heroinë u është bllokuar dy të arrestuarve Bajram Gjonçaj dhe Fatjon Veizi, mesditën e djeshme, nga agjentët e Antidrogës

5 doza
lënde të dyshuar si heroinë, janë bllokuar pranë stacionit të autobusit në Kinostudio, nga efektivët e policisë, gjatë arrestimit të Fatjon Veizit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›