E Hënë, 2 Nëntor 2026

BB, fajin për aksidentet e kanë shoferët

10/06/2005  Numri i aksidenteve në Shqipëri, 30 për qind më i lartë se në Evropë

Fajin për aksidentet që ndodhin në Shqipëri, në 97 për qind të rasteve e kanë vetë shoferët. Seminari i organizuar nga Banka Botërore në lidhje me sigurinë rrugore, ka treguar se së shpejti shqiptarët do të shënojnë shifra të frikshme në lidhje me aksidentet rrugore, të cilat mendohet të jenë 30 herë më të larta se në Evropë. “Shoferët shqiptarë bëjnë gjithçka kur ngasin makinën, vetëm me timonin nuk merren“, ka deklaruar gjatë seminarit përfaqësuesi i Projektit “Pameca“. Duket se të njëjtin mendim ka ndarë me BB-në dhe ministri i Transporteve, Spartak Poçi, i cili ka bërë me faj shoferët e dehur për nivelin e lartë të aksidenteve. Aksidentet rrugore, në përqindjen më të madhe ndodhin për gabime njerëzore, pra për mangësi të theksuara në edukatën rrugore, ku shkaqet kryesore janë shpejtësia tej normave të lejuara dhe pijet alkoolike“, ka deklaruar Spartak Poçi, në Seminarin Kombëtar për Sigurinë Rrugore. Por, pavarësisht papërgjegjshmërisë së shoferëve, Poçi ka qenë i detyruar të pranojë se gjendja e rrugëve ka pjesën e vet të fajit. “Gjendja qe kemi trashëguar për të gjithë elementët që përbëjnë sigurinë rrugore, rruga, mjeti, edukata qytetare, kanë qenë në mangësi dhe kanë sjellë pasoja në ndodhjen e aksidenteve në kushtet e rritjes së trafikut“, ka deklaruar ministri Poçi. Kështu, kreu i Transporteve, duke folur në seminar, ka pranuar se rrjeti rrugor dhe pse është përmirësuar herë pas herë, ka ruajtur standardet e ndërtimit të pjesës më të madhe të rrugëve të trashëguara, duke mos marrë parasysh dhe duke mos i njohur sa dhe si duhet problemet e sigurisë rrugore.

Infrastruktura rrugore është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, por kjo nuk ka ndikuar në uljen e numrit të aksidenteve. Madje, në 2004-ën ka patur 9 për qind më shumë aksidente se një vit më parë. Nisur nga të dhënat statistikore për periudhën 1999-2003, rezulton se ka një ulje të numrit të aksidenteve me vdekje për 10 mijë mjete, respektivisht nga 24.1 në 12.6. Ndërsa gjatë vitit 2004, krahasuar me vitin 2003, rezulton që kemi një rritje prej 9% të numrit të aksidenteve me vdekje për 10 mijë mjete. “Në këtë kontekst vlen të theksojmë se në projektin e rrugëve që ndërtohen dhe rikonstruktohen, ka hyrë e detyrueshme përfshirja e projektit të sinjalistikës rrugore“, ka deklaruar Poçi gjatë seminarit. Banka Botërore ka sugjeruar nga ana e saj se është e nevojshme të bëhen përmirësime në legjislacionin rrugor dhe të zbatohen rregulla të rrepta nëpërmjet Kodit Rrugor. “Do të ishte tepër optimiste të mendohej që përmirësimi i legjislacionit apo përmirësimet në infrastrukturën rrugore, do të përmirësonin gjithçka”, ka deklaruar Poçi.

30% më shumë aksidente

97% e aksidenteve,faji i shoferit

Poçi, çfarë do bëjmë për rregullimin e gjendjes

Përmirësimi i kushteve infrastrukturore

Kompletimin me makineritë dhe pajisjet e kontrollit në të 12 qendrat e kontrollit teknik

Kompletimin me sinjalistikën rrugore

Përmirësimin e pikave të rrezikshme të identifikuara

Përmirësimi i kuadrit ligjor si Kodi Rrugor

Rregullore për zbatimin e Kodit Rrugor dhe akteve të tjera nënligjore, duke i përshtatur me direktivat e BE-së

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›