E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dobia e debatit Nano-Berisha

10/06/2005  Tema e debatit televiziv Nano-Berisha arriti të imponohet si temë kryesore e debatit të përgjithshëm politik, që po karakterizon fushatën elektorale. Sofistikimi apo stërhollimi i kërkesave të palëve, delikatësia e asaj çka luhet me këtë përplasje personale, shpresat apo iludimet që protagonistët, duket se mbështetin në këtë debat, dhe në fund të fundit cilësia e ulët e mediave që gjejnë te kjo ngjarje elementët e një kryelajmi, janë thelbi i këtij imponimi, pra pse ai konsiderohet si kaq i rëndësishëm. Por, para se të analizohet, nëse ai është vërtet i rëndësishëm për të gjithë ne të tjerët jashtë tyre, le të mundohemi të analizojmë pse ajo është e tillë për dy liderët.

Arsyet e Berishës

Nëse nisesh nga radha e propozimit, atëherë mund të mendosh se zoti Berisha i pari ftonjës i tjetrit, është më i interesuari për debat. Ai mund të jetë nisur në këtë ide, prej faktit që në debatin e parë historik mes tyre rezultoi të ishte më i suksesshëm në disa plane, gjë e shtyn të besojë se do të arrijë të njëjtin rezultat. Berisha u duk se ruajti qetësinë - një nga pikat e tij të dobëta, shfaqi aftësi për të kundërreaguar ndaj batutave, dhe dëfteu gjithashtu dhe një lloj epërsie në raportin me letërsinë në veçanti. Por, ai ishte një debat tjetër në një kohë tjetër: palët i kishin hyrë një rruge që do t’i çonte te pajtimi i tyre publik, dhe te veprat e këtij pajtimi, siç pamë më vonë. Tanimë ata janë shumë larg: objektivat janë të papërputhshëm dhe asgjësues për njëri-tjetrin: dikush që ka tetë vjet pa e prekur pushtetin, kërkon t’i zëjë vendin tjetrit, që ka tetë vjet që e ka gëzuar atë në të gjithë kuptimet. Debati vjen në mes të një fushate, ku dy palët janë marrë agresivisht me njëra-tjetrën dhe kuptohet dëshira e secilit për t’ja përplasur në surrat njëri-tjetrit akuzat dhe zoti Berisha nuk mund të përjashtohet nga kënaqësira të tilla. Nuk diskutohet se zoti Berisha është shumë i bindur në fitoren e këtij debati, ndaj dhe e kërkoi, duke besuar se mund t’i lajë hesapet thjesht e vetëm me një seancë 120 minutëshe, ndërkohë që kjo kohëzgjatje mund edhe t’i jetë sugjeruar, pasi mendohet se kjo është një periudhë optimale që ai të ruajë qetësinë dhe të mos nervozohet. Berisha, mjeshtër i përdorimit intensiv të municionit, me siguri duhet të ketë lënë ca predha të rënda mënjanë për ditë të liga si kjo, ndërsa dihet pasioni i tij për të grumbulluar municione të tilla dhe për t’i gjuajtur a kumtuar ato personalisht. Ka një lloj shanci, megjithatë, që Berisha të përpiqet të zbusë gjuhën, pra të ofrojë një mesazh inkurajues për të moderuarit, gjë që duket nga kërkesa e tij për projektorë dhe shpjegime platformash, por kjo mund të jetë dhe nga ato rrengjet që funksionojnë në rast se nuk realizohet debati: ja unë doja të diskutoja për platforma dhe jo të bëja një debat të personalizuar. Kreu i opozitës ndërkohë ka dhe përfytyrimin e vet të saktë për atë që do të jetë moderatori, i cili, megjithëse i pathënë me emër dhe mbiemër, është Blendi Fevziu. Dhe këtu ka të drejtë: Fevziu është me gjithë mprehtësinë dhe elokuencën e tij një intervistues i edukuar, i cili të lejon të flasësh, gjëja që Berisha si një folës i palodhur e çmon shumë. Berisha sigurisht mban shënim dhe faktin që përgjithësisht Fevziu, megjithë ekuilibrin e vet në emisionet e tij, është përgjithësisht kritik ndaj qeverisjes në periudhën e fundit me shkrimet e tij. Më së fundi, Berisha është sfidanti, kështu që ai kërkon të bëhet debati, sipas një praktike të konsoliduar kudo në politikën botërore, ku nuk ka traditë debati.

Arësyet e Nanos

Në propozimet e Nanos, bien në sy shumë elementë. Së pari, Nano në shembullin e Berluskonit, por natyrisht edhe nën impulse të forta me origjinë personale, e sheh debatin si aktin kulmor të një procesi elektoral të ndërtuar i gjithi rreth personit të tij. Kurrë nuk ishin parë spote të tilla elektorale si ato “Fatos Nano dhe PS ju kanë bërë këtë, kaq rrugë, kaq pensione, ju kanë bërë këtë dhe atë”, “Votoni për Emin Barçin njëlloj sikur keni votuar për Fatos Nanon etj”. Një personalizim i tillë i fushatës, përfshi dhe sulmet ndaj LSI-së - Berluskoni vendosi të dalë vetë në skenën mediatike, pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale të këtij viti - është një lloj basti i madh kok a pilë. Megjithëse dihet pasioni i Nanos për bastet, apo lojërat me to në mes, kësaj radhe nuk luhet me gjësendet e të tjerëve, por me fatin personal politik. Pra, nëse fiton i merr të gjitha, por nëse humb duhet t’i lësh të gjitha. Duke u kthyer te debati, zoti Nano përpiqet të kënaqë njëherësh të gjitha mediat, me të cilat nuk ka raport të mirë përgjithësisht, duke njohur ethen e tyre për ta patur të vetin një debat të tillë. Duke ditur që konkurrenca midis mediave është dhe konkurrencë për reklama, ai synon të kënaqë të gjithë dhe asnjerin. Një zgjidhje e tillë me media të unifikuara, në fakt është frymëzuar prej delirit të zotit Nano, i cili mendon se çdo lloj komunikimi i tij me publikun, veçanërisht një komunikim i tillë duhet të jetë patjetër me rrjet të unifikuar. Në këtë përzgjedhje - këtu jemi përsëri te deliri - sigurisht ndikon edhe ndjekja e modelit amerikan, por edhe një arsye tjetër. Nano mendon se në pjesën e debatit për politikën e jashtme që i bie të jetë i dyti në radhë kohore, ai do të arrijë të fitojë terrenin e humbur në debatin e parë për të planin e brendshëm, ku edhe mund të humbë, megjithëse mendohet se ai zotëron më mirë se Berisha përdorimin e shifrave. Ai imagjinon se si një pjesë e mediave do të ilustrojnë këtë pjesë të debatit me fotot e tij të takimeve me Bushin, apo me takimet e fundit në kancelaritë evropiane, ku duhet thënë se ai pati një lloj shpërthimi suksesi personal, pas një shkretie apo vakuumi të mëparshëm në takimet me ta. Një pasion i tillë për një montazh të tillë fotosh u duk dhe te spoti i ri i PS, ku Nano shtrëngon duart me kreun e NATO-s, atë të BE-së, Bushin etj. Nano mendon - ndoshta gabimisht - se një valëvitje e tillë takimesh, përkundrejt varfërisë së takimeve të një lideri të opozitës së Shqipërisë, do të mund ta vërë në vështirësi Berishën, të cilit do t’i përmenden Konferenca Islamike etj., argumente, të cilët në të vërtetë nuk besohet se influencojnë shqiptarët në votën e tyre. Duke mos patur besim te Fevziu, zoti Nano mendon se do të kompensojë kriticizmin e një pjese të komentatorëve apo moderatorëve të mediave shqiptare me babaxhanllikun pro Nano të Zhejit, me shpotitë e Çanit, apo me ndonjë komentator tjetër dhe në përgjithësi me fraksionimin apo mungesën e moderimit gazetaresk në debat, pra me rrëmujën ku ai mendon se mund të notojë më mirë. Megjithëse dy palët karakterizohen në shkallë të caktuar, por të respektueshme të dhelpërisë politike, mendohet se zoti Nano është më i paturpshëm në rrengjet verbale, të cilat kanë një farë rëndësie në debate të tilla dhe që besohet se do të çmohen nga publiku i etur për ndeshje gjelash tek e tek. Nga ana tjetër, zoti Nano ka ftuar Berishën për debat edhe për të personalizuar votën e shqiptarëve: pra, për të identifikuar me çdo kusht opozitën me individin e vetëm Sali Berisha, një lëvizje që synon të zbehë pikërisht freskinë që i sollën PD figurat e reja, si djemtë dhe vajzat e KOP-it me pjesëmarrjet e tyre në debate, me tryezat, me avokatinë që i bënë PD-së në përgjithësi. Këto duket se janë disa prej arsyeve që qëndrojnë mbrapa formulës Nano të debatit të kumtuara prej negociatorit Braçe.

Po a është i rëndësishëm për shqiptarët debati?

Personalisht mendoj se jo, pasi ai nuk do t’i shtojë ndonjë cilësi të re debatit të përgjithshëm midis palëve politike në fushatë. Megjithë batutat, që mund të bëjnë për të denigruar njëri-tjetrin, që ndikojnë në mënyrë vendimtare vetëm një kategori të kufizuar votuesish, pjesa tjetër e debatit apo e dialogut mes krerëve kryesorë politikë do të jetë bashkim monologjesh të pabashkueshme prej asnjë moderatori, sado i aftë që të jetë, monologje që po konsumohen edhe në distancë, në sheshet që i lënë njëri-tjetrit në të gjithë Shqipërinë. Udhëheqësit kryesorë politikë të vendit nuk janë figura të reja që pritet të sjellin frymë të re me debatin e tyre, por thjesht ata do të monolitizojnë grupet e votuesve në të dy krahët. Edhe parashtrimi i platformave është bërë në mundësitë e pafundme që këta udhëheqës i kanë krijuar vetes deri më tani: Berisha me takimet me KOP-in dhe Nano në aktivitete të ngjashme. Nëse Berisha do të ruajë stilin politik agresiv të periudhës së fundit, një paraqitje e tij në debat do të jetë autolezioniste, duke kufizuar votat e pjesës së pavendosur apo të moderuar dhe duke zvogëluar shancet për rritje të ndjeshme të PD-së e që do të siguronte ndryshimin pozitiv të qeverisjes. Votat e të moderuarve janë vendimtare për këtë ndryshim: nëse zoti Berisha vazhdon siç e ka nisur me mitingjet, ku po flet me agresivitet, tërheqja e tyre bëhet e vështirë. Po ashtu dhe Nano, zor se do të shtojë gjë të re në torbën e vet, pasi mendohet se truqet apo rrengjet e tij, apo dhe agresiviteti i një debati personal, nuk do të joshin votues nga kjo pjesë e elektoratit potencial. Pra, siç mund të kuptohet në këtë këndvështrim, debati nuk pritet të sjellë ndonjë gjë të re dhe të mirë as për shqiptarët, as dhe për protagonistët e tij. Ndoshta, duke llogaritur këtë, palët potenciale të këtij debati kanë vendosur kushte që duken të papajtueshme me njëri-tjetrin, që do të thotë se nuk do të arrijnë në një emërues të përbashkët, vështirësi që theksohet edhe prej negociuesve. Pra, shancet që debati të mos bëhet janë gjithaq të pranishme, duke na lënë neve shijen e një përplasjeje në distancë: “Unë e ftova, ai u përgjigj me vonesë nga frika”. Pastaj thotë tjetri: “Unë e ftova, por ai pati frikë dhe nxori si pretekst kushtet”. Asgjë e re nga fronti i debateve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›