E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rroftë macja Parti që nuk polli më!

10/06/2005  Ishte bërë tym, turfullonte, sokëllinte, kërkonte grushtin për ta ngritur lart, më lart se Partia. Është bërë bos, po, për atë Zot, bos i vërtetë, me origjinë fshatar, banor në Tiranë, gjumin brenda në Pjatën e madhe ku hahet e pihet dhe hidhet valle si në sofër qëmoti, pa thyer asnjë qelq! Ai nuk lindi tani. Nuk është kandidat për deputet. Ai është fillispanjë, është tapë, ai është paralli! Nga ata të sojllinjëve që gdhihen të pasur si në ëndërr! I dyzeti hajdut i Baba Aliut. Deri në 1997, qe një njeri me pantallona, një askush. Po çudia ndodhi kur i erdhën në endërr Melaqetë. Melaqeu i parë i kujtoi se po të ngrinte grushtin lart e të bërtiste më shumë se të urtët nuk do të hante Korën e bukës gjatë rrugës nga dyqani i bukës së xha Kolit deri në oborr të shtëpisë, por do t’i vinte buka mafishe në shtëpinë që, sipas izotopeve të asaj ëndrre dhe sipas Melaqeut të dytë, do të ishte në zemër të Tiranës, afër Partisë, ehu! Aleluja! Ëndërr grash dhe punë burrash! Hapi sytë ai, i rëni në pantallona dhe filloi të lëvizte gishtrinjtë, duke i tkurrur derisa formoi grushtin bashkë me britmën: - Rroftë Kumandari! Rroftë macja që nuk polli më’ pasi më lindi mua! Rroftë ajo pasqyra që më doli në ëndërr! Melaqetë i kishin kënduar natën, ai filloi të zgjohej vetëm ditën. Hera e fundit që i patën bëlbëzuar ato dinake, i patën kujtuar të bëjë kujdes me ato qarkimet e izotopeve që ndonjëherë duhej të kalonin edhe më shumë se fshati ku shijonte gjumin. Pa të ceknin atë Ministrinë e Madhe, pa të gulshonin deputetin e zonës, pa të lyenin rrotat e qerres dhe këmbët e Buajve, pastaj ta lexonte vet! Ato vizga duheshin blinduar si tela me gjëmba që të mos hynte kurrkush, veç atyre që do ishin brenda perimetrit të pjatës së Partisë mëmëmadhe dhe ku luga e tij do ishte pasqyrë. Në donte të shihej në barkun e lugës, punë për të, në donte të shihej në kurriz të lugës, duhej të bënte kujdes, se sapo të prekte fundin e Pjatës Pëspëse, kishte rrezik të zgjoheshin Xhindet e ta flaknin tej, ose ai do thyente pjatën e do kthehej te Kora e bukës dhe rruga nga dyqani i xha Kolit në shtëpi, duke e skërrmitur nga babëzia. Xhonglat me lugë e Pjatë zoti i Melaqeve i luajti përbukuri dhe mësoi shumë mirë teori përpjestimesh, përqindjesh, artmetikë dhe pak silazh e tagji, sepse dhe shkollën për atë punë e kishte ftilluar kur i griseshin pantallonat e shkurtuara të më të rriturve nëpër ferrat e fshatit. U majm e u barkos, u zbukurua e u ajkos, biznesmeni faqehollë, hidh e prit si kokërr mollë sa në një tender, në një tjetër. Vetëm ai i fitonte, vetëm ai i zotëronte, vetëm atij i këndonin ato të shkreta xhinde! I teti vit që pantallonat e tij, Kora e bukës, Melaqetë dhe Pjata e nxehtë e partisë mëmëmadhe e cekur zakonisht pas çdo gëlltitjeje, qenë brenda dredhave të hartës së tij mbushur tashmë me izotope të kuqe.

Ja ku po afrohen kutiçkat! Ja ku po na zbret ai më i mysëti, deputeti prej Tirane! Ja ku po na ndërron për kohë fushate kostumet firmato me tutat e sportit e atletet që i kishte flakur prej vitesh ai fshatari i zooteknikes, që njohu lugën prej pasqyre dhe mësoi macen Parti mëmëmadhe të përdorë prezervativë e të mos pjellë maçok më të mirë se ai bir biri! Kërko deputeti birin dhe grushtin e tij, hiç! Kërko bishtin e lugës për ta këputur e bërë si lugë gavete ushtrie, hiç! Te 21 dhjetori e gjeti, e kapi për grushti dhe e tundi duke ia shkundur xhepat e marrë nja 15 milionë për projektin e Maces që të mos pillte akoma dhe t’i shtyhej menopausa! Pastaj mbrriti në zonën e tij elektorale. Punë kokë më kokë me fshatarët për të gjetur saktë vrimën e Kutisë së votimit. Meqë biri i pantallonave ishte zemëruar, ai u ul gju më gju me njerëzit. Takoi dhe Vangjon e shkretë. – Do votosh për mua? Po, more, do votoj se për ty kam votuar gjithmonë, edhe pse jam shumë i shkurtër dhe me zor e arrij atë të shkretë kuti votimi, po ti më premto një gjë, o cironkë! – ǒtë duash ti, o krap! Gruan ma morën, ma vodhën, ma çuan në Evropë, ma përpunuan, fituan miliona! Unë dua të më kthehen paratë që ka fituar gruaja ime andej! Vuajta me kalamajtë sa unë e di! Ajo vuaj andej, sa ajo e di! Kur ma kthyen ata horrat e mishit, kokërr evorje nuk më dhanë. Po ma zgjidhe këtë gjeagjëzë, vota është për ty, fjalë burri! – Sa është pjaca? – meqë evroja ka rënë, më mirë dollar me kokë të madhe! Hë, si thua! – po sikur të mbërthej ata kasapët që ta shitën gruan? – jo, nuk dua! Dua paratë! N’em paratë, të të n’ap votën! Aq për të qeshur, as për të qarë! Iu soll koka vërdallë cironkës prej Tirane! U krekos krapi i vogël nga fshati. Popull hesapi! As biznes, as tender, as tokë, as shtëpi! Vetëm gruaja i ka mbetur dhe …deputeti!

Kërkoi ndonjë paralli sërish deputeti, por paralliu kishte fluturuar te motra tjetër. Pse kështu?

U xhindos Xhindi, u shpërbënë izotopet e gishtave të tij! S’ka më tendera! S’ka më Melaqe që të këndojnë natën! S’ka më Kumandarë! Ka? Si s’Ka? Me një grusht tjetër iu fut asaj maces motër nga nëna, partisë tjetër, maces që thotë se do pjellë dhe maçoku po të dojë ajo! Sa? Boll i ka si fillim 10 milionë! Punë e madhe! Me një tender e fiton! Me një endërr! Me një Melaqe! Ja kështu! Kutiçkë votimi andej, kutiçkë votimi këtej, rrotullame izotopesh nga ta dojë luga dhe marsh, o popull! Bëj be se një ditë, do të biesh brenda në pantallona!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›