E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërtuesit, një e treta e punonjësve të pasiguruar

10/06/2005  Ndërtuesit i ndërtojnë pallatet me 10 punëtorë, duke shkaktuar evazionin më të lartë fiskal për sa i takon taksës së sigurimeve shoqërore. Kontrolli i fundit i Inspektoriatit të Punës mbi sektorin e ndërtimit, ka treguar se 23% e punëtorëve në 212 firma ndërtimi në kryeqytet, punojnë të pasiguruar. Inspektoriati ka prerë fleta gjobe me një vlerë prej 45 mijë dollarë për 31 subjekte, pasi rezultoi se në to punonin punëtorë të pasiguruar dhe nuk zbatoheshin rregullat e sigurimit teknik. Në ndërtim figurojnë me libreza pune 1725 punëtorë, ndërkohë që 500 ishin të pasiguruar. Mospagimi i sigurimeve shoqërore për 500 punonjësit ka bërë që shteti të humbasë rreth 25.000 dollarë. Sipas drejtorit të Inspektoriatit të Punës, gjatë aksionit njëmujor ka rezultuar se asnjë nga firmat e ndërtimit nuk i respekton të gjitha rregullat e sigurimit teknik. Sipas drejtuesve të Inspektoriatit, gjoba maksimale që mund të marrë një firmë ndërtimi për evazion fiskal është bllokimi i punimeve, ndërkohë që gjoba maksimale që mund të faturojë ky inspektoriat është 10 milionë lekë të vjetra.

Ndërkaq, Inspektoriati ka kërkuar nga firmat të zbatojnë rregulloren për sigurinë e jetës së punonjësve të tyre. Firmat e ndërtimit duhet të zbatojnë rregullat e sigurimit teknik; punonjësit të punojnë me kaska mbrojtëse, në vende të dukshme të ketë tabela për parandalimin e aksidenteve, vinçierët të përdorin rripin e sigurimit dhe gropat e ashensorëve të jenë të mbyllura. Zbatimi i këtyre rregullave do të bënte të mundur edhe shmangien e rrezikut në punë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›