E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Romancë” italiane në hapësirat e biznesit shqiptar

10/06/2005  Shoqëria shqiptare është e interesuar për ndryshimin e ritmeve, me të cilat vendi duhet të integrohet në Evropë; vlerësimi i vullnetit të partnerëve kryesorë për intensifikimin e bashkëpunimit, është një prej faktorëve që i ndryshon këto ritme. Kohët e fundit, biznesi italian dhe institucionet që synojnë nxitjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me Shqipërinë, kanë shtuar dukshëm përpjekjet e tyre për një shtrirje më të gjerë në vendin tonë. Instituti Italian për Tregtinë me Jashtë (ICE) dhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë, kanë organizuar disa tryeza të rrumbullakëta për nxitjen e bashkëpunimit tregtar dhe industrial me rrethet e verilindjes. Mirdita, Tropoja, Kukësi, Puka, Mati, ishin disa nga rrethet, bizneset e të cilave kanë paraqitur interesat dhe problemet e tyre në këto takime. Më parë, ishte zhvilluar një i tillë me përfaqësues të biznesit nga Korça, Elbasani e Pogradeci. Njohja e resurseve njerëzore e materiale të këtyre trevave, si dhe vlerësimi i mundësive konkrete për biznes, është vështruar në akord me idenë e lehtësimit të problemeve ekonomike dhe sociale në këto zona. Gjithë në këtë frymë, gjatë muajit të kaluar, një mision biznesi, i quajtur “Shqipëria”, me rreth 20 biznesmenë nga Bari, përndryshe Grupi i Investitorëve të Rinj të Assindustrias së Barit, pati disa takime me biznesmenë shqiptarë dhe personalitete të jetës politike dhe ekonomike; midis të tjerave, është paraqitur pranë autoriteteve shqiptare një master-plan për krijimin e një zone industriale në Koplik. Realizimi i këtij projekti, do t’i jepte më shumë frymëmarrje zhvillimit të biznesit në zonën veriperëndimore të vendit dhe do të lehtësonte problemet e shumta ekonomike e sociale që përjeton në përgjithësi Malësia e Madhe. Projekti i Koplikut është konsideruar si një nga ndërmarrjet më konkrete të biznesit italian në Shqipëri. Duke mos komentuar gjatë edhe zhvillime të tjera, si organizimi i “Javës së parë të shkencës dhe teknologjisë italiane” apo panairi i “Fiera Del Levante”-s, duket se ka një rizgjim, apo të themi, një riformulim më këmbëngulës të interesave evropianiste të fqinjëve tanë në Shqipëri.

Është fakt se institucionet italiane që punojnë për nxitjen e biznesit e të bashkëpunimit me Shqipërinë, janë të shumtë, duke filluar nga Shoqata e Investitorëve Italianë që veprojnë në Shqipëri, (A.I.I.O.A), Instituti Italian për Tregtinë me Jashtë (ICE), Qendra me Jashtë e rajonit të Puglias (CER) etj. Është gjithaq për t’u nënvizuar se tashmë veprojnë një sërë ndërmarrjesh të përbashkëta italo-shqiptare, që e kanë njohur suksesin dhe kontribuojnë ndjeshëm në përmirësimin e gjendjes dhe të imazhit ekonomik të vendit tonë. Italia është një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë në përpjekjet e saj (herë-herë të dëshpëruara) për t’u integruar në Evropë. Aktualisht, Italia mban vendin e parë për sa i takon shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me partnerët e vet. Nga viti ’92, Italia ka investuar në Shqipëri rreth 500 milionë dollarë; rreth 270 mijë persona nga Shqipëria janë tashmë të legalizuar në Itali (është komuniteti i huaj më i madh në këtë vend). Në vitet 2003-2004 janë akorduar rreth 250 viza dyvjeçare Shengen (dhënë nga Ambasada e Italisë) - posaçërisht për biznesmenët, që kanë një lidhje tregtare në Itali apo më gjerë.

Por, optimizmi do të duhej të kontrollohej fort kur mendon se rreth 68 për qind e ndërmarrjeve të huaja ose të përbashkëta që veprojnë në Shqipëri, shumica italiane, i takojnë fushës së tregtisë, çka tregon se niveli i investimeve ende lë për të dëshiruar. Nga ana tjetër, në këtë histori dhe realitet bashkëpunimi, “luanët” e ekonomisë italiane mungojnë. Vendin e parë për investimet italiane në Evropën qendrore dhe Lindore e mban Polonia, të dytin Rumania. Iniciativën për nxitjen e bashkëpunimit midis dy vendeve, duket se hë për hë e ka (kryesisht) provinca e Barit. Qëndrimi disi indiferent ndaj privatizimeve strategjike, apo licensave “të mëdha”, të krijon përshtypjen se “luanët” nuk ndjejnë interesin e duhur, apo iu druhen përplasjeve të pakëndshme me administratën shqiptare ose edhe me monopolet e shumëpërfolura. Ndoshta kjo ndodh edhe për shkak të vërshimit - pse jo edhe përmbushjes së interesave të tjera, nganjëherë tepër të lexueshme, por të veshura mjeshtërisht me demagogji evropianiste e duke luajtur hollë me praktika tenderash plot “kleçka”. Gjithsesi, edhe pse një “romancë” e lehtë, rritja e interesit të biznesit italian për Shqipërinë, kërkon një përgjigje më nxitëse dhe më angazhuese; atë duhet ta formulojnë tani ndoshta me më shumë përgjegjësi edhe administrata, edhe vetë biznesi. Për sa i takon politikës, edhe pse tepër e angazhuar me fushatën për zgjedhjet e 3 korrikut, ajo duhet të gjejë mundësinë dhe reshtat për të formuluar më qartë prioritetet në rrugën për evropianizimin e vendit. Problematika e raporteve me fqinjët, investimet e huaja, tendencat e dukshme dhe të padukshme në bërjen e privatizimeve strategjike dhe të tjera tema konkrete, do t’i jepnin më shumë frymëmarrje tablosë zgjedhore - deri tani mjaft e tymtë dhe po kaq e zhurmshme, me debate që më shumë i takojnë së shkuarës sesa të ardhmes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›