E Diel, 1 Nëntor 2026

BB investon 12.5 milion euro për energjinë

Banka Botërore do të investojë 12. 5 milion euro në fushën e energjitikës në Shqipëri. Qeveria shqiptare në bashkëpunim me rajonin e Puglias zhvilloi sot një aktivitet inagurues mbi projektin prej 3.5 milionë eurosh që Bashkimi Europian do të financojë për zhvillimin e

mëtejshëm të energjisë së rinovueshme në Shqipëri.  Mësohet se projekti do të ndihmojë tërësisht për të mbështetur komunitetin lokal në Shqipëri, që është buzë Adriatikut, për ta mbështetur atë për eficencën e energjisë pra me investime, projekte, studime. Ndërkohë do të ketë dhe një investim mbi një projekt pilot ku do të ndërtohet një impiant me energji të rinovueshme që do ti shërbejë një komuniteti të caktuar.  Gjithashtu qeveria po punohen për lidhjen e rrjeteve energjetike mes Shqipërisë dhe rajonit të Puglias nëpërmjet një lidhje interkonjeksionit nëndetare. Në të ardhmen do të ketë negociata edhe për furnizimin me ujra të rajonit të Puglias, pasi Shqipëria gëzon mjaft rezerva ujore ndërkohë që rajoni italian vuan prej kohësh mungesën e tyre.

Bursat evropiane i kthehen fitimeve
Aksionet evropiane fituan terren të enjten, me bankat që u ringritën, pas shitjeve të ndjeshme që pësuan sesionin e kaluar, shkaktuar nga vendimi i papritur i Gjermanisë për të ndaluar shitjet e shkurtra të zbuluara të disa aseteve financiare. Indeksi panevropian FTS Eurofirst 300 i aksioneve kryesore u rrit 0,9 për qind, në kuotën 1005,47 pikë. Ky indeks u rrëzua 2,9 për qind një ditë më parë, prej efektit që shkaktoi në tregje vendimi i Gjermanisë. Dje tregjet u shtynë për lart nga ngjitja e aksioneve bankare, të cilat u goditën rëndë sesionin e fundit. Bankat HSBC, BNP Paribas, Banco Santander dhe Barclays u rritën nga 1,5 në 1,8 për qind. Më vonë gjatë ditës pritet publikimi i të dhënave të shitjeve me pakicë në Britaninë e Madhe. Pritshmëria është që këto shitje, ku futet edhe karburanti për automjetet, të jenë rritur 0,2 për qind në bazë mujore, dhe 1,8 për qind në bazë vjetore. Sa u takon korporatave, kompania më e madhe e fluturimeve në Evropë, Air France-KLM Group raportoi humbje shumë të rënda prej 1,56 miliard eurosh për vitin fiskal që mbyllet në mars. Këto humbje janë dyfishi i humbjeve prej 814 milion eurosh të një viti më parë.

Nafta rritet, mbi 70 dollarë për fuçi
Nafta u rrit mbi 70 dollarë për fuçi të enjten, duke zgjeruar fitimet e një dite më parë, prej rritjes më të vogël nga parashikimet të nivelit të depozitave amerikane të naftës, si dhe prej terrenit të fituar nga euroja ndaj dollarit amerikan. Euro e mbajti veten të enjten mbi kuotën fundore 4-vjeçare të shënuar këtë javë, dhe ringritja e saj e fundit i shtyu investitorët të realizonin mbulime të shkurtra, edhe pse humori mbetet i luhatshëm, pasi shumë prej tyre shqetësohen prej çrregullimeve të politikave në eurozonë. Depozitat amerikane të karburantit u rritën më pak nga sa pritej javën e kaluar, ndërsa depozitat e distilateve treguan një rënie të papritur. Kështu treguan të dhënat zyrtare, që publikoi Administrata amerikane e Informacionit për Energjinë. Nafta bruto amerikane për qershorin u rrit 43 centë në kuotën 70,30 dollarë për fuçi. Gjatë ditës, kontratat arritën të rriteshin deri me 1 dollar për fuçi, pasi tregtarët i mbuluan pozicionet e shkurtra, përpara skadimit të kontratave më vonë gjatë ditës.

BE do të diskutojë vendimin gjerman
Presidenti i Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy tha se vendimi gjerman, për ndalimin e tregtimit të ajrit të bonove sovrane do të diskutohet në takimin e Ministrave të Financave të Eurozonës në ditën e premte. Në vendimin e mbrëmjes së ditës së martë, qeveria gjermane nuk u konsultua me parterët evropianë. Lëvizja ka shkaktuar rënie në nivelin më të ulët 4 vjeçar të monedhës së përbashkët ndaj dollarit amerikan, si dhe është pasuar nga një tërheqje globale e investitorëve nga tregjet e aksioneve dhe sidomos nga stoqet me rrisk të lartë. "Është shumë e nevojshme forcimi i koordinimit pan-Evropian, sidomos për vendimet që kanë efekte të mëdha në tregje. Unë kam ndërmend që këtë çështje ta diskutoj të premten në Bruksel në takimin e Ministrave të Financave", tha Van Rompuy. Vendimi gjerman është një pikë shtesë në axhendën e takimit të Ministrave të Financave që do të dalin me një propozim mbi forcimin e rregullave për buxhetin në Bashkimin Evropian dhe përmirësimin e qeverisjes ekonomike për të mos përsëritur një krizë të re greke. Instituti financiar gjerman BaFin, justifikoi vendimin qeveritar duke thënë se duhej të kryhej për shkak të paqëndrueshmërisë së lartë të bonove qeveritare në Eurozonë.

Last Updated on E Enjte, 20 Maj 2010 21:09

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›