E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza greke, mblidhen ministrat e financave të BE-së

Ministrat e financave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian takohen në Bruksel, për të diskutuar rrugët që duhet të ndiqen për të parandaluar një krizë të ngjashme me atë të Greqisë. Ministrat, do të takohen me Presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, për të diskutuar forcimin e kritereve të paktit të stabilitetit.
Ndërkaq kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka kërkuar ndëshkime më të ashpra për vendet që nuk respektojnë rregullat, ndërsa spanja ka ashpërsuar kursin e kursimeve. Të shoqëruar nga protestat, qeveria socialiste spanjolle ka miratuar një paketë tjetër masash kursimi. Këtu bëjnë pjesë shkurtime pagash me 5% tek nëpunësit e shtetit. Edhe nga pensionistët dhe familjet kërkohen sakrifica. Për shkak të kursit drastik të kursimeve, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Elena Saldago tha në Madrid se pritet një rritje më e vogël ekonomike nga sa ishte parashikuar. Ekonomia spanjolle do të rritet me 1,3 dhe jo 1,8%, tha Saldago. Spanja bën pjesë në ato vende të eurozonës, që kanë problemet më të mëdha me shlyerjen e borxheve dhe me këtë paketë të re kursimi, synon të kursejë këtë vit dhe në 2011 rreth 15 miliardë euro shtesë.
Gjithashtu edhe Bundestagu gjerman dhe Këshilli Federal i Landeve konsultohen për paketën e shpëtimit të euros, e më konkretisht do të vendosin për kontributin gjerman në paketën e ndihmës prej 750 miliardë euro për të shpëtuar valutën europiane. Me qëllim stabilizimin e tregjeve financiare, është ngritur në një procedurë shumë të shpejtë një paketë miliardëshe për vendet e eurozonës, që po japin shenja krize. Për këtë arsye ligjin përkatës duhet ta miratojë jo vetëm Bundestagu, por edhe Këshilli i Landeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›