E Diel, 1 Nëntor 2026

BB kërkon falje: Gabuam me dhëndrin e Berishës

Zyra në Tiranë e Bankës Botërore iu përgjigj dje në darkë akuzave të shumëfishta të qeverisë shqiptare mbi shembjet në Jal, duke deklaruar se Paneli i Inspektimit ka të drejtë për sa i përket rolit të Zyrës së Koordinimit të Projektit dhe se Paneli është "i pavarur". Në një përpjekje dramatike për të ruajtur gjuhën diplomatike, në një takim të posaçëm me gazetarët, drejtoresha e BB-së për Shqipërinë, Camille Nuamah, dorëzoi konkluzionet përfundimtare të menaxherëve të BB-së.

"Grupi i menaxherëve i pranon konstatimet e Panelit në lidhje me veprimet e Njësisë Shqiptare të Koordinimit të Projektit", thuhet në dokument. Paneli i Inspektimit pati dalë në konkluzionin se "koordinatori i projektit kishte "nismuar shembjen e shkatërrimeve në Jal, ndërsa policia ndërtimore pati vepruar thjesht si ekzekutuesi i tij".

Qeveria shqiptare, përmes Kryeministrit Sali Berisha, pati deklaruar më herët se "Presidenti Zoellick është figurë e nderuar, por Paneli i Inspektimit është korruptuar nga mafia e betonizimit të bregdetit". BB i dha një përgjigje indirekte. "Ne nuk komentojmë deklaratat e palëve të tjera", thotë BB, duke shtuar se "Paneli i Inspektimit është një mjet i pavarur, të cilin mund ta përdorin ata persona që mendojnë se janë dëmtuar". Kryeministri Berisha pati deklaruar se BB "duhet t‘i kërkojë ndjesë" për konkluzionet e Panelit të Inspektimit. Në vend të ndjesës, menaxherët e BB-së deklaruan se pajtohen tërësisht me konkluzionet e Panelit.

Punësimi i dhëndrit të Kryeministrit qe gabim

Zyra e BB-së në Tiranë deklaroi se koordinatori i projektit është punësuar nga Ministria e Punëve Publike dhe jo nga Banka Botërore. Por në të gjitha rastet, BB ka mbikëqyrur procedurat e punësimit dhe nuk ka pasur kundërshti për këtë zgjedhje të qeverisë. "Dhënia e moskundërshtimit nga ana e Grupit të Menaxherëve për emërimin e dhëndrit të Kryeministrit si koordinator i projektit ishte një gjykim i dobët, po të konsiderohet se një emërim i tillë do të krijonte të paktën perceptimin e konfliktit të interesit dhe rrjedhimisht një rrezik për reputacionin e Bankës Botërore", thotë zyrtarisht BB. Kur qeveria e djathtë erdhi në pushtet në vitin 2005, dhëndri i Kryeministrit mori postin e koordinatorit. Emërimi i tij u krye në përfundim të një procedure përzgjedhëse të mbikëqyrur nga BB.

Në një shënim në lidhje me këtë konflikt interesi shkruhet: "Departamenti i Integritetit Institucional (INT) të Bankës Botërore shqyrtoi dokumentacionin për të konstatuar nëse duhej të niste një hetim. Edhe pse informacionet në dispozicion se ka, të paktën në dukje, konflikt interesi [...] INT e hodhi poshtë kërkesën për ta ndjekur më tej këtë çështje. INT vërente se edhe sikur të ishin konstatuar praktika të sanksionueshme, INT do t‘ua kishte kaluar çështjen në fjalë autoriteteve shqiptare për ta ndjekur më tej".

BB u dha përgjigje negative të gjitha pyetjeve nëse ka apo jo një hetim për korrupsion, një mohim me një prapashtesë: "Nuk është në kompetencat tona".

"Dokumentet që keni në dorë janë shikuar dhe rishikuar fjalë për fjalë", tha Nuamah gjatë konferencës. Kamerat u fikën dhe u ndezën disa herë mes përgjigjeve zyrtare të BB dhe sqarimeve plotësuese.

"Nuk i autorizuam shkatërrimet"

Banka Botërore iu përgjigj edhe deklaratave të qeverisë shqiptare se kush i urdhëroi shkatërrimet në Jal. Gjithmonë në përpjekje për të ruajtur diplomacinë, përgjigjja e menaxherëve është: "Ne nuk i autorizuam shembjet". Ministria e Punëve Publike pati publikuar më herët një dokument të vjetër të projektit, ku flitet për "forcim të policisë ndërtimore dhe nevojën për kontrollin e territorit". BB thotë se ka marrë përgjegjësi "për diçka që nuk e ka kryer", për shkak se nuk ia kishte "sqaruar siç duhet njësisë së koordinimit të projektit", dhe se "BB e merr shumë seriozisht mirëqenien e njerëzve".

"Ekipi i Projektit, për herë të parë, mësoi për këtë (prishjen e ndërtimeve në Jal) përmes mjeteve të komunikimit më 18 prill 2007 dhe kontaktoi Njësinë Shqiptare të Koordinimit të Projektit më 19 prill", thuhet në dokument. BB shpjegon se menaxherët e saj nuk e kanë ditur fare se koordinatori i projektit i ka dërguar letra në emër të bankës Policisë Ndërtimore dhe se ka kërkuar të dijë pse po përzihet emri i bankës me këtë çështje vetëm pas daljes së lajmeve.

Qeveria ka thënë gjithmonë se shembjet në Jal janë pasojë e projektit. "I shembëm ndërtimet pa leje, sepse Banka Botërore na e kërkoi", deklaroi ministri i atëhershëm i Punëve Publike, Lulzim Basha, në Kuvend.

Në thelb, Banka Botërore mori përsipër shembjet në Jal jo se ajo i pati urdhëruar, autorizuar, apo këshilluar, por sepse Njësia e Koordinimit të Projektit, një zyrë e qeverisë shqiptare, pati përdorur mjete të financuara nga banka dhe emrin e bankës për të shkaktuar shembjet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›