E Diel, 1 Nëntor 2026

Të pastrehët, miratohet leja për tre pallate të reja

Bashkia e Korçës ka miratuar ndërtimin e tre pallateve të tjera për familjet e pastreha, pjesë e kontingjentit të mbetur pa trajtim me strehim. Duke qenë se kontingjenti i të pastrehëve në këtë qytet është i lartë, nga ana e bashkisë është vendosur që të kryhet edhe ndërtimi i tre pallateve të reja sociale për strehimin e tyre. Në mbledhjen e fundit të KRRT-së bashkiake është bërë edhe miratimi i sheshit për ndërtimin e këtyre pallateve, ndërkohë që parashikohet që aty të strehohen të paktën 131 familje, nga lista e të pastrehëve. Ka qenë një vendim i Këshillit të Rregullimit të Territorit që i ka dhënë "ok"-in miratimit të sheshit, por edhe të lejes së ndërtimit. Banesat kolektive për këtë kategori sociale do të nisin nga ndërtimi së shpejti dhe planifikohet që të jenë gati në një afat me shtrirje kohore prej një vit e gjysmë për t‘ju dorëzuar më pas këtyre familjeve në nevojë. Fondi për ndërtimin e tre pallateve kap një vlerë prej 150 milionë lekësh. Bashkia e Korçës, si përfituese e këtij fondi është përzgjedhur nga tetë njësi të qeverisjes vendore në shkallë vendi, ndërsa paratë që janë akorduar për kategorinë e të pastrehëve, sipas nënkryetarit të bashkisë, Sotiraq Filo, janë përfituar nga kredia që qeveria ka siguruar nëpërmjet Bankës së Këshillit të Evropës, CEP. "Sipas projektit për ndërtimin e pallateve për të pastrehët parashikohet strehimi i një pjese nga kontingjenti i të pastrehëve dhe është miratuar me vendim të KRRT-së sheshi dhe leja e ndërtimit për tri banesa kolektive për këtë kategori. Këto pallate kanë 96 apartamente dhe përfitues të parë do të jenë 131 familje nga lista e të pastrehëve, ata që janë në banesa të ish-pronarëve. Pallatet do të ndërtohen në një zonë që është zgjedhur tashmë dhe që do të jetë në afërsi të parkut "Rinia". Këto janë banesa sociale me qira dhe përfitues nga ndarja e tyre do të jenë në një pjesë të madhe përfaqësues të komunitetit rom. Paralelisht do të ndërtohet një tjetër pallat nga ana e Entit të Banesave me të cilën lidhen edhe kontratat për këto kategori", ka sqaruar nënkryetari i bashkisë. Aktualisht, nga 2800 familje të pastreha, që kanë qenë deri në vitin 2005, Bashkia e Korçës këtë vit regjistron të paktën 1400 familje të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›