BB: Çmimi i energjisë do rritet 8-15%
Fabiola Çela
Vitin e ardhshëm energjia elektrike do të kushtojë më shtrenjtë. Duke nisur nga viti 2010 çmimi i energjisë elektrike mund të rritet nga 8 deri në 15 për qind. Por në lidhje me rritjen e tarifave të energjisë, përfaqësuesi i Bankës Botërore ka dhënë një zgjidhje, qeveria mund të ulë ose të heqë taksën e TVSH për dritat.
Çmimi
Me privatizimin e OSSH-së, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët do të ndryshojë. Vetë përfaqësuesit e Bankës Botërore kanë deklaruar dje në komisionin e Ekonomisë se duke nisur nga viti i ardhshëm çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët do të pësojë rritje. Ndryshimi pritet të përcaktohet nga kostot e prodhimit dhe blerjet e energjisë për vitin e ardhshëm. “Çmimi i energjisë në rajon si dhe reshjet do të jenë dy faktorët, që do të përcaktojnë nivelin e çmimit të energjisë elektrike për vitin që vjen. Nëse çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtar do të qëndrojnë në nivelet aktuale, ne parashikojmë që rritja e tarifave në vitin 2010 të jetë 8 deri në 9 për qind. Por nëse çmimet do të rriten sërish në nivelet e vitit të kaluar, atëherë rritja për konsumatorët mund të jetë deri në 15 për qind”, u shpreh krye ekonomisti i Bankës Botërore, Demetrios Papathanasiou. Por sipas tij, konsumatorët mund të lehtësohen nga pagesat, nëse qeveria heq TVSH-në nga faturat e energjisë. “Kur konsumatorët paguajnë faturat e energjisë është shumë e rëndësishme të kuptohet se 1 në 5 lekë, që paguhet është tatim mbi vlerën e shtuar, që i shkon shteti dhe jo kompanisë. Ky është një argument politik dhe është në dorën e qeverisë të vendosë për të”, tha Papathanasiou. Por propozimet për uljen e taksës së TVSH-së është kundërshtuar gjithnjë nga FMN-ja. Lidhur me këtë përfaqësuesi i BB-së u shpreh se “Mendoj që FMN nuk ka një marrëveshje aktualisht me qeverinë shqiptare, kështu që ju mund të bëni shumë gjëra që dëshironi”. Në fakt, kjo është një deklaratë disi e çuditshme e Bankës Botërore, pasi siç dihet FMN dhe BB janë dy institucione financiare ndërkombëtare që nga rëndësia e tyre janë simotra. Në rastet kur Banka Botërore jep kredi është Fondi Monetar Ndërkombëtar, institucioni që garanton se qeveria është e aftë ta kthejë këtë kredi. Për këtë arsye deklarata e BB-së në këtë rast tingëllon disi çuditshëm.
OSSH
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje kontratën e shitjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), kompanisë çeke ÇEZ. Sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Alfred Rrushaj, në bazë të kontratës së shitjes, kompania çeke “Çez” do të derdhë për llogari të qeverisë shqiptare në fund të transaksionit 102 milionë euro. Përsa i takon humbjeve, ai theksoi se në kontratë është parashikuar që ÇEZ të ulë me 8 % humbjet në 2 vitet e para. Ndërkohë, përfaqësuesi i METE-s sqaroi se kompania çeke ka blerë aksionet e qeverisë shqiptare, çka do të thotë se nuk merr përsipër të mbulojë borxhet e akumuluara për shkak të humbjeve apo edhe ndërhyrjeve në rrjet, apo si rezultat i mos pagimit të faturave nga abonentët.