E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia-Tirana, një finale e parakohshme

 

Vllaznia e Tirana do të luajnë të mërkurën në mbrëmje (18:30) aktin e parë të gjysmëfinaleve të edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë, një finale e parakohshme, nisur edhe nga fakti se përballen dy skuadrat më të mira të sezonit (në kampionat bashkëkryesojnë me nga 54 pikë), por dhe se në takimet e para midis tyre janë ndalur në dy barazime: 0-0 në Shkodër dhe 1-1 në Tiranë. Ashtu si Tirana dhe Vllaznia ka shanset që t’i fitojë të dyja trofetë e sezonit, çka do të ishte edhe dhurata më e bukur në 90-vjetorin e klubit më të vjetër në Shqipëri. Presidenca shkodrane do të japë edhe një superpremio për kualifikimin e Vllaznisë në finale, pasi synimi për fitimin për herë të shtatë të Kupës, duket më i realizueshëm, kur në finale do të jetë njëri nga ekipet e çiftit tjetër gjysmëfinal, Shkumbini apo Flamurtari. Për herë të fundit Flamurtari ka diskutuar një gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në edicionin 1998-1999, kur u eliminua më pas nga Tirana (1-2, 0-2), por dy herë fituesit e Kupës së Shqipërisë synojnë finalen e 11-të historike në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm, kur të mërkurën do të përballet në Vlorë me Shkumbinin në sfidën e parë gjysmëfinale. Flamurtari arriti për herë të 17-të në katërshen e Kupës pas një serie prej 3 ndeshjes e 330 minuta lojë me Partizanin, por ndaj Shkumbinit vlonjatët janë në alarm mungesash, pasi trajneri Eqerem Memushi nuk do të ketë në dispozicion jo pak, por nëntë lojtarë titullarë.

Gjysmëfinalet

Vllaznia - Tirana
(Gjyqtar: Sokol Çekaj)
Stadiumi “Loro Boriçi”, ora 18:30

Flamurtari - Shkumbini
(Gjyqtar: Sokol Jareci)
Stadiumi “Flamurtari”, ora 16:30

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›