Dy aksidente në Tiranë, një i vdekur një i plagosur
TIRANE – Dy aksidente të ndodhura dje në kryeqytet shkaktuan vdekjen e një personi dhe plagosjen e rëndë të një tjetri. Një taksist është arrestuar nga policia me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, pasi duke drejtuar makinën me shpejtësi tej normave të lejuara, ka aksidentuar për vdekje një kalimtar. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Mushqeta, në rrugën nacionale që lidh Tiranën me Elbasanin. Sipas burimeve zyrtare, Gazment Duqi, 26 vjeç, duke u kthyer nga Elbasani për në kryeqytet, ka përplasur me taksinë e tij tip “Benz”, me targa TR 0891 B, 51-vjeçarin Abaz Basha, i cili në atë moment ka qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin. I aksidentuari është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, por edhe pas ndihmës mjekësore ka gjetur vdekjen. Ndërsa një tjetër kalimtar është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, pasi është përplasur nga një motor. Ngjarja ka ndodhur në Unazën e Re, në kryeqytet, kur një 60-vjeçar, ende i paidentifikuar ka qenë duke kaluar rrugën dhe është përplasur nga një motor tip “Jaguar” me targë CM 732 EJ, që drejtohej nga 35-vjeçari, Rimi Mezani. Ekspertët e hetimit të aksidenteve, pasi kryen verifikimet në vendin e ngjarjes, arrestuan Rimi Mezanin me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. e.d